Kurti refuzon të takohet me Ramën pa mbledhje të qeverive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, në një takim që është jashtë mbledhjes se Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Kurti në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, ka theksuar se mendon që mbledhja e dy qeverive ishte anuluar në mënyrë të paarsyeshme nga Rama dhe se takimin me të mund të bëjë vetëm në kuadër të një mbledhje të tillë.

“Unë jam i gatshëm të takohem me kryeministrit Edi Rama në kuadër të mbledhjes së dy qeverive, jo pa këtë mbledhje”, është shprehur Kurti.

Sipas tij me rëndësi për raportet Kosovë – Shqipëri është mbledhja e dy qeverive dhe jo takimet në mes tij e Ramës.

“Andaj për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që unë ia kam dhënë, se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, gjatë dy vjetëve që jam në qeverisje i kam një duzinë takimesh me Ramën, nuk lëngon raporti Kosovës-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Unë e konsideroj të nevojshme mbledhjen e dy qeverive, por jo takime të tjera”, është shprehur Kurti.

Rama do të qëndrojë në Kosovës të enjten, në një turne ballkanik në përgatitje të Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.

Kurti ka thënë se i ka kërkuar Ramës që meqë po qëndron në Prishtinë ta mbajnë edhe mbledhjen e dy qeverive.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama që meqë do të qëndrojë në Prishtinë për një natë e dy ditë, që ta mbajmë edhe mbledhjen e dy qeverive e cila u anulua paarsyeshëm, ndonëse ishte paraparë muaj më parë për datën 14 qershor në Gjakovë. Të gjitha përgatitjet i patëm bërë, 13 marrëveshje kanë pasur të nënshkruhen, të cilat tash kanë ngelur në sirtarë. Në mënyrë që këto marrëveshje të dakordohen, të mos ngelen edhe më tutje në sirtar sepse nga to nuk përfitojnë kryeministrat, përfitojnë qytetarët. Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që meqë po vjen këtë javë, ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara dhe në këtë mënyrë t’i funksionalizojmë të gjitha”, ka theksuar Kurti.

“Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe nuk ka në Ballkan ndonjë lider politik e institucional si kryeministrit i Kosovës që e ka mbështetur dhe vazhdon ta mbështes Procesin e Berlinit, por ky Proces samitin e radhë e ka në mes të muajit tetor në Tiranë, tani jemi në fillim të korrikut, shumë mirë që behën përgatitjet kaq herët, por përderisa i bëjmë këto përgatitje kaq herët, të mos vonohemi me një anulim të paarsyeshëm të mbledhjes së dy qeverive”, ka shtuar Kurti.