Kurti: Tash po e shohim sa ka vuajtur shteti për qeverisje që nuk abuzon

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të hënën janë mbushur tetë muaj që ka marrë detyrën e kryeministrit, me ç’rast sipas tij janë marrë 396 vendime.

Sipas tij ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje me të lartë se në vitin 2021 të cilën deri në fund thotë se do ta mbyllin me 10 për qind.

“Këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë. Vitin që po e lëmë e gjetëm me borxhe, kemi anuluar vendimin për shpronësimin e rrugës Pejë-Zahaç. Për herë të parë po e votojmë një buxhet që është tërësisht i yni. Një buxhet që ka ndarje të matura e për projekte zhvillimore. Buxhet që sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete. Me këtë buxhet kemi ndarë 45 milionë për t’i ndihmuar nënat lehona e për shtesat për fëmiëj. Për herë të pare kemi ndarë 10 milionë për blerjen e ambasadave. Prodhuesit vendor do t’i mbështesim me 200 milionë euro. 10 milionë i kemi ndarë për pajisje moderne për policinë dhe zjarrfikësit. 10 milionë i kemi ndarë për rezervat shtetërore. Ushtrinë e kemi prioritet madhor andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë eurosh. Projektligji ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike”, ka thënë ai.

Sipas tij, tash po e vërejnë sa ka vuajtur shteti për një qeverisje që nuk keqpërdor e nuk abuzon.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit. Padyshim qe optimizmi dhe shpresa që kemi ne në krye të institucioneve dhe qytetarët i kontribuon edhe aspektit socioekonomik të vendit tim”, ka thënë ai.