Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kush fshihet pas sulmit ndaj Kuvajtit?

Kush fshihet pas sulmit ndaj Kuvajtit?

Hipotezat, nga Irani te SHBA-ja, Izraeli apo edhe Ukraina

Sulmi i së enjtes ndaj një baze ushtarake në Kuvajt, ku humbën jetën dy teknikë italianë të kompanisë Rheinmetall, ka hapur një tjetër front të rrezikshëm në Lindjen e Mesme.

Autoritetet kuvajtiane dhe ato italiane kanë drejtuar gishtin nga Irani, duke pretenduar se dronët ishin prodhuar në këtë vend.

Por Teherani e ka mohuar përgjegjësinë dhe ka kërkuar hetim të përbashkët për përcaktimin e autorëve. Ndërkohë, përtej versionit zyrtar, disa media ndërkombëtare kanë publikuar pista dhe hipoteza alternative.

Akuzat dhe kundërakuzat

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, deklaroi se hetimet kishin vërtetuar origjinën iraniane të dronit, por bëri një dallim të rëndësishëm. Sipas tij, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai është lëshuar nga territori iranian.

Ministri përmendi shprehimisht mundësinë e përfshirjes së milicive të lidhura me Teheranin. Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Arakçi, e cilësoi incidentin si të dyshimtë dhe si një skenar të parapërgatitur për të nxitur luftën. Teherani ofroi bashkëpunim me Kuvajtin dhe Italinë për një hetim të përbashkët.

Pesë hipotezat për autorët e sulmit

1. Milicitë shiite në Irak

Kjo është pista që ka edhe vëmendjen më të madhe. Gazeta italiane La Stampa, vëren se në Irak, në veri të Kuvajtit, vazhdojnë të veprojnë disa brigada shiite të lidhura me Gardën Revolucionare iraniane.

Këto grupe disponojnë dronë iranianë dhe kanë kapacitete për të goditur objektiva në rajon. Edhe Tajani ka përmendur mundësinë që sulmi të jetë kryer nga milici të tilla, pa qenë domosdoshmërisht një operacion i drejtpërdrejtë i ushtrisë iraniane.

2. Ukraina dhe operacioni i rremë

Agjencia italiane LaPresse, duke iu referuar agjencisë iraniane Fars, raportoi se analisti iranian Seyed Mohammad Marandi ka hedhur dyshimin se pas sulmit mund të qëndrojë Ukraina.

Sipas tij, operativë ukrainas janë të pranishëm në Irakun verior dhe Siri dhe Kievi, mund të kërkojë t’i demonstrojë Donald Trumpit aftësitë e tij për operacione jashtë territorit ukrainas. Edhe mediane amerikane Fox News raportoi këtë akuzë, duke theksuar se nuk janë paraqitur prova që lidhin Ukrainën me sulmin.

3. SHBA-ja dhe Izraeli

Agjencia italiane ANSA raportoi deklaratën e zëdhënësit të Forcave të Armatosura iraniane, gjeneralit Abolfazl Shekarchi, i cili akuzoi Uashingtonin dhe Tel Avivin për përdorimin e operacioneve inskenuese në rajon.

Sipas kësaj teze, sulmi mund të jetë organizuar për t’ia faturuar Iranit përgjegjësinë dhe për të tërhequr më drejtpërdrejt Evropën në konflikt. Edhe Forbes raportoi se Arakçi e konsideroi incidentin një skenar të parapërgatitur për luftë.

4. Një milici që vepron pa urdhrat e Teheranit

Kjo pistë lidhet me mundësinë që një grup i armatosur pro-iranian të ketë vepruar në mënyrë autonome. La Stampa evidenton vështirësinë e përcaktimit të përgjegjësisë mes Iranit dhe milicive aleate, ndërsa Tajani e pranon se dronët iranianë përdoren nga shumë grupe të armatosura në rajon.

Në këtë skenar, origjina e armës nuk do të provonte automatikisht se operacioni ishte urdhëruar nga udhëheqja iraniane.

5. Një objektiv tjetër, viktima të rastësishme

Një mundësi tjetër është që objektivi të ketë qenë instalimi ushtarak ose infrastruktura strategjike kuvajtiane dhe jo personeli italian. La Stampa raporton se teknikët po mirëmbanin radarët e sistemit kundërajror Skyguard, të vendosur për mbrojtjen e një instalimi të rëndësishëm.

Kjo e bën të mundshme që vdekja e tyre të ketë qenë pasojë e goditjes ndaj një objektivi tjetër, megjithëse kjo mbetet një hipotezë dhe jo një përfundim hetimor. Po si qëndron vërteta. Nëse droni ishte iranian, kush e lëshoi dhe, mbi të gjitha, kush përfiton nga kjo goditje?

A ishte një operacion i Teheranit, një veprim i milicive që veprojnë në orbitën e tij, apo një provokim i organizuar për ta futur Iranin në një kurth të ri ushtarak dhe diplomatik?

Në një rajon ku lufta zhvillohet jo vetëm me raketa e dronë, por edhe me operacione të fshehta dhe manipulim të informacionit, Kuvajti mund të jetë skena e një loje shumë më të madhe. Dhe ndoshta autorët e vërtetë të sulmit nuk janë ata që po akuzohen sot. \tesheshi