Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kush po e kris aleancën Turqi-Azerbajxhan?

Kush po e kris aleancën Turqi-Azerbajxhan?

Mediat azere pranë Aliyev-it, sulme të vazhdueshme ndaj Ankarasë

Vetëm dy javë më parë, zyrtarë të lartë ushtarakë dhe të industrisë turke të mbrojtjes njoftuan në Baku marrëveshje me vlerë 500 milionë dollarë për furnizimin e ushtrisë azerbajxhanase.

Por pavarësisht lidhjeve të ngushta mes dy vendeve, një krizë diplomatike po e vë në provë aleancën e tyre strategjike. Turqia dhe Azerbajxhani ndajnë lidhje etnike, fetare, kulturore dhe historike.

Deklarata e Shusha-s e vitit 2021 i angazhoi të dyja palët për mbrojtjen e njëra-tjetrës, ndërsa investimet e ndërsjella në energji, transport, ndërtim dhe bujqësi kanë forcuar bashkëpunimin.

Megjithatë, këtë javë disa media azere të afërta me qeverinë në Baku akuzuan ministrin e Jashtëm turk, Hakan Fidan, se po përpiqej të nxiste një kryengritje kundër presidentit Ilham Aliyev.

Shkaku i përplasjes ishte vendimi i Azerbajxhanit për të ndaluar mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme, një masë që shkaktoi protesta dhe kritika në Turqi.

Kriza nisi pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, kritikoi në një fjalim në Kombet e Bashkuara vendet që u pengojnë vajzave muslimane arsimimin për shkak të veshjes.

Ankaraja këmbëngul se deklarata i referohej vendeve evropiane dhe jo Azerbajxhanit, por në Baku u interpretua si kritikë ndaj politikave të Aliyev.

Tensionet u shtuan kur këshilltari i Erdoganit, Oktay Saral, i kërkoi publikisht Bakusë të anulonte ndalimin. Edhe Leyla Sahin Usta, një nga drejtueset e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e kritikoi vendimin. Ajo ishte bërë simbol i kundërshtimit ndaj ndalimit të shamisë në Turqi në fund të viteve 1990.

Partia e Aliyev, Azerbajxhani i Ri, reagoi ashpër, duke paralajmëruar Ankaranë të mos përpiqej të vendoste hegjemoninë e saj mbi botën islame.

Sipas burimeve të Middle East Eye, Bakuja i kërkoi qeverisë turke shkarkimin e Saral nga detyra zyrtare. Gjithashtu, kërkoi masa ndaj komentuesve në rrjetet sociale që kishin fyer Aliyev dhe dorëzoi një listë llogarish që donte të bllokoheshin.

Autoritetet turke bllokuan disa prej tyre, por nuk ndërmorën masa të tjera. Përpjekjet e zyrtarëve turq, përfshirë ish-kryeministrin Binali Yildirim, për të ulur tensionet nuk mjaftuan.

Ata theksuan se Saral kishte shprehur mendimin e tij personal dhe nuk kishte folur në emër të Erdogan. Situata u ndërlikua edhe nga mungesa e presidentit turk në samitin e Konferencës për Ndërveprim dhe Masa të Ndërtimit të Besimit në Azi (CICA), ku merrte pjesë edhe presidenti izraelit Isaac Herzog.

Bakujaa e interpretoi këtë vendim si shpërfillje ndaj Aliyev. Ndërkohë, pjesëmarrja e presidentit azerbajxhanas në samitin e ardhshëm të shteteve turke në Turqi mbetet e pakonfirmuar.

Edhe vizita e Hakan Fidan në Baku javën e kaluar, për një samit rajonal, nuk ndihmoi në qetësimin e situatës. Përkundrazi, disa media azerbajxhanase nisën një fushatë të pazakontë kundër qeverisë turke.

Portali Qafqazinfo akuzoi AKP-në se po përpiqet të përhapte ideologjinë islamiste përmes organizatave të lidhura me të dhe pretendoi se shërbimet turke të inteligjencës mund t’i përdornin këto struktura për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendeve të tjera.

Artikulli sugjeronte se Fidan mund të kishte dhënë udhëzime të tilla gjatë vizitës. Pas një kundërshtimi të fortë nga ambasada turke, materiali u hoq dhe u publikua sërish pa akuzat ndaj ministrit.

Edhe media të tjera azere e ashpërsuan gjuhën. Kështu Publika akuzoi AKP-në për eksportimin e ideologjisë së Vëllazërisë Muslimane, ndërsa Musavat pretendoi se konflikti për shaminë po përdorej për të larguar vëmendjen nga një skandal financiar prej 17 miliardë dollarësh në Turqi.

Global Info e akuzoi Ankaranë se ndiqte një politikë neo-osmane dhe e trajtonte Azerbajxhanin si partner vartës. Sipas një burimi azer të cituar nga Middle East Eye, sulmet mediatike ishin të koordinuara nga nivelet e larta të pushtetit për të kundërshtuar ndërhyrjen turke dhe përpjekjet e pretenduara për të eksportuar modelin politik të AKP-së.

“Ne na duhej një krizë e tillë, sepse disa njerëz në Turqi kishin filluar të mendonin se Azerbajxhani ishte pjesë e sferës së tyre të ndikimit. Tani duhet ta kuptojnë se jemi një komb, por dy shtete”, tha burimi.

Nga ana tjetër, një zyrtar turk i tha Middle East Eye se Ankaraja nuk kishte ndërmend t’i përshkallëzonte tensionet. “Aleanca jonë strategjike me vëllezërit tanë, është mjaftueshëm e fortë për ta përballuar këtë krizë!”, deklaroi ai. \tesheshi.com\