Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miraton qeverinë e re

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut pas një debati dyditor miratoi qeverinë e re të udhëhequr nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, raporton Anadolu Agency (AA).

Qeveria e re u votua me 62 vota “pro”, 46 “kundër” dhe asnjë abstenim.

Në seancën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për zgjedhjen e qeverisë morën pjesë 108 deputetë nga gjithsej 120.

Kryeministër është zgjedhur lideri i ri i Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), Dimitar Kovaçevski.

Qeveria e re ka 11 anëtarë të LSDM-së, 6 anëtarë të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), ndërsa 3 janë nga partia Alternativa dhe 1 nga Partia Liberal Demokratike (LDP).

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, është zgjedhur zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve mes Komuniteteve.

Zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane u zgjodh Bojan Mariçiq nga LSDM-ja, ish-ministër i Drejtësisë, ndërsa Sllavica Grkovska, ish-deputete e LSDM-së, u zgjodh zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit.

Zëvendëskryeministri i deritanishëm nga radhët e LSDM-së, Fatmir Bytyqi, është zgjedhur zëvendëskryeministër i ngarkuar për çështje ekonomike.

Ministre e qeverisë së re nga radhët e LSDM-së është zgjedhur Sllavjanka Petrovska, e cila do të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes, funksionin e së cilës deri më tani e ka udhëhequr Radmilla Shekerinska.

Oliver Spasovski do të vazhdojë të kryejë funksionin e ministrit të Brendshëm.

Ministër i Drejtësisë u zgjodh Nikolla Tupançevski.

Ministre e Punës dhe Politikës Sociale u zgjodh Jovana Trençevska.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve do të drejtohet nga Bllagoj Boçvarski.

Ministre e Kulturës është zgjedhur Bisera Kostadinovska Stojçevska nga radhët e LSDM-së.

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave është zgjedhur Ljupço Nikollovski.

Bujar Osmani nga radhët e BDI-së do të vazhdojë të jetë ministër i Jashtëm, Fatmir Besimi ministër i Financave dhe Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë.

Ndërkaq, në krye të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është zgjedhur Jeton Shaqiri, i cili deri më tani ka qenë ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë të drejtohet nga Naser Nuredini nga BDI-ja.

Qeveria e re u formua me partner të ri, Alternativën, me tri poste ministrore. Bekim Sali pason Venko Filipçen në postin e ministrit të Shëndetësisë, Admirim Aliti është ministër i ri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Xhemail Çupi është ministër pa portofol për Diasporën.

Po ashtu, ministër i Vetëqeverisjes Lokale është zgjedhur Goran Milevski nga LDP-ja, e cila është në koalicion me LSDM-në.

Sipas procedurave, për t’u zgjedhur qeveria në kuvend është dashur që të votojnë shumica e deputetëve, pra së paku 61 nga gjithsej 120 deputetë sa numëron parlamenti.

Kujtojmë se më 23 dhjetor 2021, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, të cilën ai e njoftoi pas suksesit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar

Më pas, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e njoftoi presidentin Stevo Pendarovski se duhet të emërojë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Pendarovski ia dha mandatin për përbërjen e qeverisë së re Kovaçevskit, i cili më parë ishte zgjedhur kryetar i LSDM-së në pushtet pas dorëheqjes së Zaevit. /aa