Lajçak deklarohet pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka shkruar pas takimeve me kryeministrin, Albin Kurtin në Prishtinë dhe atij me presidentin serb, Aleksander Vuçiq në Beograd.

Ai tha se në takime u theksuan se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm.

Laçak tha po ashtu, se presin që Kurti dhe Vuçiq të i përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të dialogut, shkruan teve1.info

“Udhëtuam me Plotner, Escobar, Bone dhe Cattaneo për diskutime të rëndësishme dhe thelbësore me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë. Ne theksuam se 24/9 [sulmi i Banjskës] duhet të hetohet plotësisht dhe se de-përshkallëzimi dhe normalizimi janë urgjentisht të nevojshëm. Ne presim që të dy të përmbushin plotësisht detyrimet e tyre të Dialogut”, ka shkruar Lajçak.

Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë takimit të sotëm me diplomatët perëndimor, u ka theksuar atyre se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit, pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjskë.

Njëherit, Kurti ka falënderuar pesëshen evropiane për planin e tyre të ri për ecjen përpara, teksa ka theksuar që diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht

“Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars). Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re. Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në komunikatë.

Ndërsa, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se takimi ishte i vështirë dhe pret takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim, shkruan teve1.info

“Takimi i vështirë me pesëshen. Besoj se në periudhën e ardhshme do të gjejmë një rrugëdalje nga kriza. Pres takime të rëndësishme në Bruksel në ditët në vijim”, ka shkruar Vuçiq./