Lancster: FSK është në gjysmë të rrugës, cëlësi është partneriteti me NATO-n

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka pritur në takim ministrin e Shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancster.

Haradinaj tha se ky është një moment prekës, pasi që ministri po kthehet në Kosovë pas 18 vitesh, pasi që në Kosovë kishte shërbyer si oficer i Mbretërisë së bashkuar. Ndërsa tha se ardhja e ministrave nderon Kosovën dhe thellon bashkëpunimin mes dy vendeve.

Edhe ministri Lancster tha se përkrahja dhe përkushtimi i Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe FSK-në do të vazhdojë.

Sa i përket transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës dhe nëse do ta përkrah Britania këtë, ai tha se ka ardhur sot, që t’i shoh zhvillimet në këtë forcë.

Edhe kryeministri Haradinaj tha se janë të interesuar që transformimi i FSK-së në ushtri të Kosovës, të bëhet me ndryshime kushtetuese. E në rast se për një kohë kjo nuk ndodh, atëherë do të mendojnë se si të veprojnë.

“ Mandatimin si ushtri, jemi të interesuar që kjo të bëhet përmes ndryshimeve kushtetues dhe tani po i japim kujdes këtij aspekti. Vetvetiu çdo temë e ka kohën e vet. Nëse në një kohë optimale kjo nuk ndodh, atëherë duhet të mendohet si të veprojmë. Aktualisht jemi të fokusuar përmes ndryshimeve kushtetuese”, tha Haradinaj

Kryeministri po ashtu ripërsëriti qëndrimin e tij rreth dialogut me Serbinë. Ai tha se Kosova i ka dhënë rëndësi të madhe këtij dialogu, por se duhet të kenë dhe SHBA-të dhe BE-në, si lehtësues të këtij dialogu.