Lauterbach: Në Gjermani po vjen vala e pestë

Karl Lauterbach

Gjermania po përballet me një valë të madhe të pestë të pandemisë së koronavirusit të nxitur nga varianti Omicron që do t’i vendosë shërbimet e saj shëndetësore nën presion të madh, tha sot ministri i ri gjerman i Shëndetësisë, Karl Lauterbach.

“Unë po supozoj një valë të pestë masive”, tha Lauterbach në Hanover.

”Duhet të supozojmë se vala Omicron me të cilën po përballemi tani, të cilën për mendimin tim nuk mund ta parandalojmë, do të përbëjë një sfidë masive për spitalet tona, njësitë tona të kujdesit intensiv dhe për shoqërinë në tërësi”, shtoi ai.

”Kjo sfidë mund të jetë më e madhe se çdo e parë deri më sot”, tha Lauterbach duke treguar përvojën e Britanisë së Madhe me valën Omicron.

”Edhe nëse simptomat e sëmundjes do të ishin më të lehta, kjo nuk do të bënte ndonjë ndryshim”, tha ai.

Lauterbach u bëri thirrje mjekëve dhe qendrave të vaksinimit që të përdorin rezervat e disponueshme të vaksinës Moderna për shkak të raporteve për mungesa. /atsh