Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lavrov: Putini do të vizitojë Kinën këtë vit

Lavrov: Putini do të vizitojë Kinën këtë vit

Presidenti rus, Vladimir Putin do të vizitojë Kinën në gjysmën e parë të këtij viti, tha sot ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov gjatë një takimi me presidentin kinez, Xi Jinping në Pekin, transmeton Anadolu.

“Programi është duke u finalizuar aktualisht”, tha Lavrov raportoi agjencia ruse e lajmeve “Tass”, pa dhënë data specifike. Lavrov ka qenë në Pekin që nga e marta për një vizitë dy-ditore që vjen në mes të konfliktit të SHBA-së dhe Izraelit me Iranin.

“Në një botë fluide dhe të trazuar, stabiliteti dhe siguria e marrëdhënieve Kinë-Rusi janë vërtet të vlefshme”, i tha Xi Lavrovit. Presidenti kinez tha se të dy palët duhet të forcojnë komunikimin strategjik dhe koordinimin diplomatik për të çuar përpara partneritetin e tyre gjithëpërfshirës strategjik.

Ky vit shënon 30-vjetorin e partneritetit strategjik të koordinimit Kinë-Rusi dhe 25-vjetorin e Traktatit Kinë-Rusi për Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim Miqësor. E përditshmja ruse “Vedomosti” raportoi se vizita e Putinit ka të ngjarë të zhvillohet në gjysmën e dytë të majit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka planifikuar të vizitojë Pekinin midis 14 dhe 15 majit, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi priti Lavrovin të martën, kur të dy palët nënshkruan një plan për konsultime ndërministrore për vitin 2026. Ata diskutuan për luftën e SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, konfliktin e Ukrainës dhe çështjet e Azi-Paqësorit.

Lidhjet Rusi-Kinë janë forcuar vitet e fundit, me tregtinë dypalëshe që arriti në rreth 220 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Putini vizitoi Kinën për herë të fundit në shtator, kur mori pjesë në një samit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait në qytetin verior Tianjin dhe në një paradë ushtarake në Pekin që shënoi fundin e Luftës së Dytë Botërore.