LDK-ja do ta dërgoj në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka njoftuar se sot do ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran.

Përmes një njoftimi, thuhet se deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, në ora 14:00 do ta dërgojë në Kushtetuese këtë ligj.

“Deputeti Besian Mustafa,si përfaqësues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sot, në ora 14:00 dorëzon Ligjin 08/l-238 për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se të premten e kaluar, deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

62 deputetë votuan pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës ka thënë se Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike.