LDK-ja inicion Komision hetimor për rezervat shtetërore

Lidhja Demokratike e Kosovës ka iniciuar themelimin e një Komisioni Parlamentar për të hetuar procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, pas arrestimit të dy zyrtarëve dhe një biznesmeni për furnizim me rezerva shtetërore të vitit 2022.

Në një njoftim në Facebook, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka njoftuar se janë dorëzuar nënshkrimet për themelimin e këtij komisioni.

“Çka është bërë me rezervat shtetërore? Kush, kur, ku, pse dhe si janë përfshirë në këto procese dhe cili është epilogu i veprimeve të tyre? A kanë qenë kontratat konform ligjit dhe a i kanë kryer palët detyrimet sipas atyre kontratave? Është koha e fundit që të gjithë t’i dorëzojnë faktet e të dorëzohen para të vërtetës së domosdoshme. Shteti dhe shoqëria kanë nevojë që të dinë të vërtetën!” ka shkruar ai.

Dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmen u arrestuan në mes të gushtit nën dyshimet për dallavere me blerjen e rezervave shtetërore. Fillimisht atyre iu caktua masa e paraburgimit, ndërsa më pas Apeli pranoi ankesat e tyre dhe i liroi për t’u mbrojtur në liri.

Që nga arrestimi, opozita në vazhdimësi ka kërkuar largimin e ministres Rozeta Hajdari.