ak më shumë se një muaj kanë kaluar që nga formimi i qeverisë që erdhi si rrjedhojë e koalicionit mes Vetëvendosjes e LDK-së, shkruan lajmi.net.
Ende pa hyrë mirë në muajin e dytë të qeverisë, Vetëvendosje e LDK po shkojnë drejt ndarjes së rrugëve në qeveri. Gjithçka po ndodh për shkak të taksës dhe refuzimit që kryeministri Albin Kurti po i bën kërkesës direkte të SHBA-ve për heqjen e saj. Si rrjedhojë e kësja sjelljeje, SHBA-të po e konsiderojnë seriozisht praninë ushtarake në Kosovë, teksa me paralajmërimet më serioze në këtë aspekt, Kosova u përball gjatë ditës së sotme.
Kjo situatë duket se nuk po i pëlqen aspak LDK-së. Veç gjatë ditës së sotme, Lidhja Demokratike e Kosovës i ka lëshuar pesë paralajmërime se rëndësia e koalicionit me VV-në as nuk i afrohet ruajtjes së partneritetit me SHBA-të.
Lëkundja kryesore e koalicionit me Vetëvendosjen erdhi nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ky i fundit përmes një postimi në Facebook, tha se raportet e Kosovës me SHBA-të kanë hyrë në një fazë kritike, dhe se paralajmërimet e sotme për tërheqjen e trupave amerikane nga vendi ynë janë dëshmuesi më i mirë i kësaj situate.
Mustafa tha se gjatë këtyre ditëve do të takohet me kryeministrin Kurti që të bisedoj me të rreth kësaj çështjeje, teksa bëri të ditur se një zyrtar i LDK-së do të takohet me të dërguarin e presidentit Trump, Richard Grenell për t’ia treguar atij qëndrimet e LDK-së për këtë çështje.








