Lëvizjet e ushtrisë serbe në Luginë të Preshevës kthejnë shqetësimin te shqiptarët

Përfaqësues të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë shprehur drojë për situatën e sigurisë në Luginë pas rritjes së lëvizjeve të armatës serbe. Sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës, sipas tyre, ka ndikuar negativisht edhe në Luginë, teksa Qeverisë së Kosovës dhe ndërkombëtarëve u kanë bërë thirrje për kthim të vëmendjes kah Lugina
Sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit nga grupi terrorist që kishte hyrë prej territorit të Serbisë, ka kthyer shqetësimet në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Përfaqësues politikë në Luginë kanë folur për shtim të lëvizjeve ushtarake dhe policore, teksa kanë alarmuar për rrezikun e rritjes së tensioneve.

Fillimisht kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, në një letër drejtuar Kurtit ka thënë se Lugina bashkë me veriun e Kosovës mund të bëhen “fuçi baruti”, teksa i ka bërë thirrje Kurtit që të mos e ndërpresë dialogun me Serbinë.

“Shqiptarët e Luginës kanë qenë të dënuar, të pambrojtur dhe të diskriminuar për 30 vjet dhe në 10 vjetët e fundit edhe të pasivizuar nga adresat e tyre. Prandaj, është e rëndësishme që ju të konsideroni kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë të cilët ftojnë në dialog dhe komunikim në vazhdimësi, për arsye se jo vetëm ju jeni të rrezikuar në veri të Kosovës dhe në Kosovë në përgjithësi, por nëse dialogu dhe komunikimi diplomatik ndërpriten, shqiptarët në Luginë të Preshevës janë në shënjestër të një situate apo grupi terrorist. Është jetike për ne të aktivizoni të gjitha kanalet e komunikimit diplomatik, për të garantuar siguri për shqiptarët në Luginë. Përndryshe, Lugina e Preshevës së bashku me veriun mund të bëhen ‘fuçi baruti”, ka thënë Arifi.

Për ndryshim të situatës në Luginë pas sulmit në Banjskë, ka folur kryetari i Partisë Demokratike shqiptare në Preshevë, Ragmi Mustafa. Ai tha se zona e sigurisë që ishte e garantuar prej KFOR-it pas luftës së UÇMPB-së, nga 5 kilometra është zvogëluar në 300 metra.

“Megjithatë ne si shqiptarë dhe si politikë nuk mund ta dimë numrin e ushtarëve dhe makinerisë që ka vendosur në këto zona Beogradi sepse ato lëvizje mund të ndodhin edhe natën kur shqiptarët janë në gjumë dhe nuk mund t’i shohim. Ato shërbime të veçanta ku mund të marrë informacione shteti i Kosovës, ne nuk i kemi këndej. Prandaj shumëçka që përgatit Beogradi e kemi shumë zor që ta dimë ose të jemi të njoftuar”, ka deklaruar Mustafa.

Veprimet e Serbisë i shohin si shqetësuese edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

“Në njërën anë shtimi i forcave te armatosura të ushtrisë së Serbisë rreth kufirit me Kosovën dhe sulmi i tyre terrorist me 24 shtator ndaj vendit tonë, dhe në anën tjetër sulmi vandalizues ndaj familjes Muharremi në Medvegjë janë më se shqetësuese. Shqiptarët e Luginës së Preshevës janë shumë të shqetësuar dhe të pasigurt nga retorika e papranueshme, e cila mund të motivojë sulmet etnike dhe justifikon dhunën ndaj shqiptarëve. E madje lirimi i Radoiçiqit shpërfaq më së miri drejtësinë e sotme në Serbi. Në vazhdimësi ndjekim me vëmendje situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për ne janë shqetësuese sulmet apo intimidimi ndaj tyre. Bëjmë thirrje dhe për faktorin ndërkombëtar që ta monitorojë situatën e sigurisë në Luginën e Preshevës dhe ta dënojë sjelljen e Serbisë”, ka shtuar Mustafa.

Përfaqësuesit e Luginës e kanë përsëritur kërkesën që çështja e shqiptarëve të trajtohet në kuadër të dialogut të Brukselit dhe të ketë reciprocitet sa u përket të drejtave që u garantohen serbëve në Kosovë.