Liban, përshkallëzohen tensionet midis protesutesve dhe policisë

Disa persona u plagosën në mesin e policisë dhe protestuesve si rezultat i përplasjeve në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, pasi demonstruesit vazhdojnë të kërkojnë ndryshime në qeveri, raporton Anadolu Agency (AA).

Një grup i madh protestuesish u përpoqën të marshojnë drejt parlamentit, ku bisedimet për krijimin e një qeverie të re do të fillojnë të hënën.

Megjithatë, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës për të bllokuar demonstruesit që u përpoqën të kapërcejnë barrierat pasi u mblodhën në Sheshin Dëshmorët.

Protestuesit sulmuan policinë me gurë, ndërsa përleshjet vazhduan deri vonë dhe dhjetëra u plagosën nga të dy palët.

Policia tha se 20 pjesëtarë të forcave të rendit janë dërguar në spital, kurse disa të tjerë janë mjekuar në vendin e ngjarjes.

Njësitë e Mbrojtjes Civile në Liban thanë se më shumë se 50 protestues janë mjekuar, kurse 36 janë dërguar në spitale.

Forcat e sigurisë kanë marrë masa që nga 17 tetori kur filluan protestat antiqeveritare.

Libani është tronditur nga protesta masive në muajt e fundit kundër planeve për rritjen e taksave, të cilat shpejt u shndërruan në ankesa më të gjera.

Trazirat e detyruan kryeministrin Saad Hariri të jepte dorëheqje më 29 tetor, por ende nuk është arritur progres për një marrëveshje për qeveri të re.