Lideri taleban në televizionin grek “Mega”: Erdogani do të luajë rol aktiv në çështjet e brendshme të Afganistanit, ja si do qeverisim vendin

Një intervistë ekskluzive të përfaqësuesit të talebanëve, Suhail Sahin me Yannis Moutsos, ka siguruar televizioni grek “Mega”.

Përgjatë intervistës Sahin është zotuar se talebanët do të ndalojnë prodhimin e lulekuqes, pra opiumit, në mënyrë që të fitojnë mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

Ai zotohet se të huajt dhe prona e tyre që do të mbeten në Afganistan pas 31 gushtit nuk janë në rrezik. Për më tepër, përfaqësuesi taleban ka nënvizuar se të drejtat e njeriut do të respektohen dhe se Afganistani nuk do të jetë i ndryshëm nga shtetet fqinje si Irani dhe Pakistani që gjithashtu kanë ligjin islamik në qendër të sistemit të tyre juridik.

Në të njëjtën kohë, ai zbulon se Turqia do të luajë një rol në rindërtimin e vendit dhe mbështetjen e qeverisë islamike.

Një fragment i intervistës:

Le ta fillojmë këtë intervistë dhe t’ju pyesim … cila do të jetë forma e Afganistanit me talebanët në qeveri?

Ne synojmë të krijojmë një shtet lirie, pavarësie dhe paqeje për njerëzit e Afganistanit. Njerëzit tanë do të bashkojnë forcat për t’u përqëndruar në rindërtimin e vendit tonë.

Dr Sahin, nëse trupat amerikane nuk largohen nga aeroporti i Kabulit deri më 31 gusht, çfarë do të thotë kjo për talebanët dhe Afganistanin?

Ata duhet të ikin! Nëse ata nuk largohen, atëherë kjo do të konsiderohet shkelje. Kjo shkelje do të provokojë një reagim dhe kjo varet nga vendimi i udhëheqjes sonë, se çfarë lloj reagimi do të tregojmë ndaj forcave të armatosura.

Çdo gjë është e mundur! Varet nga vendimi i udhëheqjes sonë, dhe atëherë ushtarët tanë dhe komandantët ushtarakë do ta zbatojnë atë! Amerikanët dhe fuqitë e tjera të huaja po shkelin afatin që kanë shpallur!

Ka raporte në terren se talibanët në pikat e kontrollit rreth aeroportit po parandalojnë civilët – si afganët ashtu edhe kombësi të tjera – të kalojnë nëpër portat e aeroportit. A mund ta lehtësojnë talebanët kalimin e sigurt të qytetarëve evropianë përmes Afganistanit?

Pikat e kontrollit janë ngritur për dy arsye të ndryshme: Së pari, ato duhet të lejojnë të hyjnë vetëm ata që kanë dokumentet e duhura dhe të parandalojnë ata pa dokumente. Së dyti, për të parandaluar çdo anëtar të ISIS -it, i maskuar si shtetas i huaj, të shkaktojë sabotim, brenda dhe mes turmës në aeroport.

Si do të garantoni të drejtën e grave për arsimim, barazi dhe liri të fjalës?

Ata do të kenë të gjitha të drejtat për qasje në arsim, punë. Ndryshimi i vetëm që do të ndodhë do të jetë përdorimi i hixhabit. Ata duhet të mbajnë hixhab. Ata do të kenë të njëjtat të drejta si gratë në vendet e tjera. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në vendin tonë.

Pra, cili është vizioni i talebanëve? Si keni ndërmend të qeverisni?

Është e qartë se kultivimi i lulekuqes në Afganistan është i dëmshëm dhe ne jemi të përkushtuar ta ndalojmë atë, por ka nevojë që komuniteti ndërkombëtar të na ndihmojë dhe të krijojë zëvendësues të kulturave për fermerët.

A mendoni se është e mundur që Kina, Turqia dhe Katari të luajnë një rol të veçantë në rindërtimin e Afganistanit?

Sigurisht! Është e qartë se ata do të kenë një rol të veçantë për të luajtur në rindërtimin e Afganistanit, por kjo nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin përfshirë në konfliktin e armatosur në vendin tonë, nuk do të marrin pjesë.

Për shembull, nëse amerikanët evakuojnë vendin pas 20 vjetësh, me një afat kohor prej 31 gushtit, por ka qytetarë të kombësive të tjera që kanë mbetur prapa, çfarë do të ndodhë me ta?

Ne kemi njoftuar se ata që bashkëpunojnë me fuqitë e huaja, si jeta ashtu edhe prona e tyre janë të sigurta. Ky është angazhimi ynë. Nuk ka asnjë rrezik për pronën e tyre dhe ata do të jenë në gjendje të jetojnë një jetë normale, ndërsa do të jenë në gjendje të kontribuojnë me aftësitë dhe përpjekjet e tyre, në rindërtimin e vendit tonë.

Presidenti turk Erdogan promovon faktin se ka pasur një sërë kontaktesh, si me udhëheqësit evropianë ashtu edhe me udhëheqësit e vendeve të tjera. A mendoni se Presidenti i Turqisë mund të luajë rolin e ndërmjetësit midis talebanëve dhe perëndimit?

Kur të formohet qeveria e re e Afganistanit, do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me të gjitha vendet islamike, përfshirë Turqinë. Ata do të jenë në gjendje të kontribuojnë në rindërtimin e vendit tonë dhe do të jetë në gjendje të bashkëpunojë me ne.

A do të pranonit një forcë paqeruajtëse në Afganistan në të ardhmen, ndoshta me pjesëmarrjen e zyrtarëve, qoftë nga Turqia apo Greqia?

Populli i Afganistanit dëshiron lirinë e tij. Ne kemi kontroll mbi të gjithë Afganistanin. Nuk ka asnjë problem sigurie.

Çfarë ka ndryshuar në të vërtetë në regjimin taleban nëse shikojmë prapa 20 vjet më parë?

Sa i përket bindjeve dhe rregullave tona, ato mbeten të njëjta. Ne duam një vend të pavarur. Ne duam një qeveri islamike në pushtet. /tiranapost