Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka deklaruar se plani i Koresë së Jugut për të zhvilluar nëndetëse bërthamore me SHBA-në është kërcënim për stabilitetin në rajon duke e quajtur atë “akt sulmues”, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, Kim i bëri këto deklarata gjatë inspektimit të një nëndetëseje me raketa të drejtuara strategjike me energji bërthamore në ndërtim e sipër prej 8.700 tonësh.
Ai tha se plani i Seulit për të ndërtuar nëndetëse bërthamore “do të përkeqësojë paqëndrueshmërinë në Gadishullin Korean” dhe shtoi se Pheniani e konsideron atë “si akt sulmues që shkel rëndë sigurinë dhe sovranitetin detar të saj dhe si kërcënim për sigurinë që duhet kundërshtuar”.
Kim shtoi se duke marrë parasysh situatën aktuale, është “detyrë urgjente dhe opsion i pazëvendësueshëm për të përshpejtuar më tej zhvillimin radikal të modernizimit dhe armatimit bërthamor të forcave detare” të Koresë së Veriut.
KCNA tha se Pheniani po zhvillon nëndetësen me energji bërthamore të pajisur me raketa të drejtuara, një projekt që u prezantua për herë të parë në muajin mars. Dje, Kim vëzhgoi testimin e një “rakete të re kundër-ajrore, me shtrirje të lartë dhe të gjatë”, duke theksuar se raketa goditi me sukses një objekt të simuluar në një lartësi prej 200 kilometrash.
Ndërkohë, KCNA raportoi se një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Koresë së Veriut kritikoi SHBA-në pasi një nga nëndetëses e saj bërthamore mbërriti të martën në një bazë kyçe detare në Korenë e Jugut për furnizime.
Marina e Seulit tha se nëndetësja “USS Greeneville” mbërriti në bazën detare në Busan, rreth 330 kilometra në juglindje të Seulit. “Shfaqja e përsëritur e këtij aseti strategjik të SHBA-së përbën akt të rrezikshëm që shkakton paqëndrueshmëri dhe rrit tensionet ushtarake në Gadishullin Korean dhe në rajon”, tha zëdhënësi.
– Urime për Vitin e Ri nga presidenti rus
Në një raport tjetër, KCNA tha se presidenti rus Vladimir Putin i ka dërguar urime për Vitin e Ri, Kim Jong Un-it, duke e falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ushtarake për luftën në Ukrainë.
“Hyrja heroike e ushtarëve të Ushtrisë Popullore të Koresë (Veriore) në betejat për çlirimin e rajonit Kursk nga pushtuesit dhe aktivitetet e mëtejshme të inxhinierëve koreanë në tokën e Rusisë dëshmuan qartë miqësinë e pathyeshme dhe vëllazërinë luftarake midis Federatës Ruse dhe DPRK-së (Koreja e Veriut)”, thuhet në mesazh.
Në muajin gusht, Koreja e Veriut dërgoi rreth 1 mijë inxhinierë ushtarakë në Kursk për të ndihmuar forcat ruse në pastrimin e minave të vendosura gjatë luftimeve me trupat ukrainase.
“Ky dislokim pasoi një dërgesë të mëparshme të rreth 15 mijë trupave luftarake të Koresë së Veriut për të mbështetur përpjekjet e Rusisë në luftë”, tha agjencia e zbulimit e Koresë së Jugut, e cila pretendon se Pheniani humbi 2 mijë trupa në luftë.
