Të gjitha librat e “shenjtë” e konsiderojnë ligjin si fazën e fundit në ndërtimin e një shoqërie të denjë. Sipas doktrinave fetare, ndërtimi i shoqërisë nuk nis me ligjin, por me besimin, sepse ai është themeli mbi të cilin mbështeten të gjitha shtyllat e tjera.
Besimi nuk është çështje iluzionesh, por një proces i brendshëm që zhvillohet në tre shkallë:
1. Qartësia në mendje – ku njeriu arrin të kuptojë të vërtetat themelore.
2. Bindja në zemër – ku e vërteta përvetësohet me bindje të thellë.
3. Konkretizimi në vepra – ku besimi shfaqet në sjellje dhe veprime.
Pas besimit, ndërtohet morali dhe etika. Këto e lartësojnë njeriun përtej çdo krijese tjetër dhe e bëjnë atë të nderuar mes të gjitha krijesave. Etika dhe morali e ndihmojnë njeriun të mos mbetet vetëm një qenie biologjike. Kultura i mëson se të jetuarit nuk mjafton të jetë thjesht biologjik; jetës i duhet dhënë kuptim.
Vetëm pasi janë vendosur besimi, morali dhe kultura, vjen ligji – si një mjet për të ruajtur atë që është ndërtuar më parë. Ligji ndihmon të parandalohet degradimi moral dhe shoqëror.
Ai nuk ndërton, por mbron dhe kufizon të keqen që del në pah kur mungojnë besimi dhe kultura.
Një shoqëri që e merr ligjin si thelb dhe jo si fazë të fundit është një shoqëri që jeton për t’u ruajtur, jo për t’u lartësuar. Sa më shumë që forcohet ligji, aq më shumë kjo tregon se individi dhe shoqëria po tkurren, jo po zhvillohen.
Prandaj shoqëria ka nevojë fillimisht për ide, më pas për kulturë, dhe vetëm në fund për ligj. Nëse ligji sundon mbi gjithçka, por mungojnë idetë dhe kultura, individët do ta shohin atë si pengesë, duke kërkuar ta thyejnë ose manipulojnë.
—–
Ligji nuk ndërton, ai vetëm mbron. Ai ruan atë që është ndërtuar përmes ideve, besimit dhe kulturës.
Hoxhë Vladimir Kera








