Ballina Lajmet Kosovë Ligji për të huajt, Kurti: Edhe arsimi e shëndetësia për serbët do...

Ligji për të huajt, Kurti: Edhe arsimi e shëndetësia për serbët do të inkorporohet brenda ligjshmërisë së Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka folur sot për zbatimin e Ligjit për të huajt dhe kritikat se me këtë po legalizohen strukturat paralele serbe në Kosovë.

Kurti pas përurimit të segmentit rrugor Prishtinë – Vushtrri theksoi se me këtë Ligj edhe strukturat ilegale të mbetura në arsim dhe shëndetësi do të inkorporohen në sistemin e Kosovës.

“Ne veçse po zbatojmë një ligj nga periudha para 13 vjetëve. Dhe më në fund po zbatohet ligji. Do të bëjmë inkorporimin e të gjitha strukturave të cilat janë në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit. Ju e dini që strukturat tjera ilegale të Serbisë, sikur ato të sigurisë, financave dhe administratës nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës.

Kanë ngelur arsimi dhe shëndetësia dhe ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që njëherë ta kemi listën e mësimdhënësve, mjekëve dhe infermierëve të cilët punojnë në këto struktura”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

PDK: Kurti po legjitimon strukturat ilegale të Serbisë dhe po cenon sovranitetin e Kosovës

Kryeministri tutje theksoi se nuk dëshirojnë që pacientët serbë të ngelen pa trajtim shëndetësor dhe nxënësit serb të ngelen pa mësim.

“…Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës…

Dhe në këtë aspekt po punojmë, duke dhënë një dritare 12 mujore, përkatësisht 3 mujore për qëndrim, për punë dhe për pajisje me dokumente të Republikës së Kosovës”, u shpreh Kurti.

Ai rikujtoi se një afat të ngjashëm kanë dhënë për targat e automjeteve.

“Prandaj, gjithçka po shkon siç është më së miri. Dhe ky nuk është veprim politik, por zbatim i ligjit, zbatim gradual i ligjit në bashkëpunim me Bashkimin Evropian…”, tha ai.

I pyetur nëse zbatimi i Ligjit për të huaj është hap drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Kurti tha se që pesë vjet sa është kryeministër ende nuk ka “Zajdenicë”.

“Ju e dini që në këto pesë vjet sa jam kryeministër, shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë se e bëri Zajednicën këtë muaj, muajin e ardhshëm por ju e dini që pesë vjet janë 60 muaj dhe nuk ka Zajednicë.

Prandaj, e keni një Qeveri të Republikës që është demokratike, e cila siguron mirëqenie për të gjithë qytetarët. Siguri e begati për të gjithë pa dallim. Prandaj, të gjitha akuzat e tilla janë të pavend dhe këtë e dinë më së miri qytetarët e Republikës që na mbështesin kaq shumë dhe i gëzojnë frytet e punës sonë që është obligim dhe përgjegjësi e jona”, tha ai. /