Heshtja përballë arrogancës politike dhe përdorimi i imazhit femëror si mbrojtje ndaj kritikave
Në galerinë e pushtetit botëror, gratë e liderëve kanë luajtur shpesh rolin e busullës morale ose të arkitekteve të fshehura të suksesit. Edi Rama, në stilin e tij karakteristik prej oratori, e ka cilësuar bashkëshorten e tij, Lindën, si “gjysmën e tij më të mirë”.
Por, ndërsa vitet kalojnë dhe pushteti i tij konsolidohet në një formë gjithnjë e më autokratike, pyetja që shtrohet natyrshëm është: a ka arritur kjo “gjysmë e mirë” të zbusë egërsinë e gjysmës tjetër, apo martesa ishte thjesht një lëvizje strategjike në fushën e shahut elektoral?
Nuk është sekret se martesa e vitit 2010, u pa nga shumë vëzhgues si një “operacion plastik” për imazhin e Ramës. I këshilluar nga strategë izraelitë, ai e braktisi petkun e politikanit ekstravagant dhe bohem, për t’u shfaqur si një familjar i devotshëm përpara një shoqërie që pavarësisht dëshirës për modernizëm, mbetet thellësisht tradicionale.
Nëse ky ishte qëllimi, misioni u krye. Por, nëse synimi ishte që prania e një gruaje intelektuale pranë, të shërbente si frenë për impulset e tij agresive, dështimi është spektakolar. Faktet tregojnë se Rama nuk u bë as më i butë, as më i matur.
Ai thjesht mësoi se si ta paketojë autoritarizmin e tij me një mbështjellje më elegante. Ka diçka thellësisht cinike në kontrastin mes Lindës që ligjëron nëpër podiume luksoze ndërkombëtare për “fuqizimin e gruas”, dhe bashkëshortit të saj që përdor gjuhën e rrugës për të sulmuar kundërshtaret politike, siç ishin insinuatat me sfond seksual ndaj deputetes së PD, sot moderatore televizive, Grida Duma.
Heshtja e saj përballë bullizimit publik që i bëhet grave nga njeriu me të cilin ndan jetën nuk është më modesti, por bashkëfajësi në arrogancë. Analiza bëhet edhe më e zymtë kur shohim profilin profesional të Linda Ramës.
Si një eksperte e sektorit bankar dhe ekonomisë, bie në sy heshtja e saj përballë skandaleve të korrupsionit dhe aferave ekonomike të “Rilindjes”. E njëjta gjë shihet edhe te “feminizmi” i qeverisë Rama.
Kryeministri mburret me numrin e ministreve gra, por ky mbetet një feminizëm me leje. Ministret e tij shpesh trajtohen si ushtarë të bindur që duhet të duartrokasin çdo batutë të shefit, madje edhe kur ato fyejnë dinjitetin e grave të tjera.
Në këtë mjedis, Linda Rama nuk shërben si model emancipimi, por si eminenca gri e një sistemi që i përdor gratë për imazh, ndërsa i nënshtron ato politikisht. Përmes intervistave të kuruara, çifti Rama tenton të na shesë imazhin e një kështjelle private intelektuale, plot libra dhe art.
Ata synojnë që publiku të besojë se pas agresivitetit të kryeministrit fshihet një njeri i kultivuar, i cili “ndriçohet” nga inteligjenca e bashkëshortes. Por, nëse Linda është vërtet “muza” e tij, atëherë produkti që ai ofron në jetën publike – dhuna verbale, mungesa e etikës dhe denigrimi i kundërshtarit – është dëshmia më dërrmuese e dështimit të këtij ndikimi.
Në vendet demokratike, bashkëshortet e liderëve shërbejnë si ndërgjegjja e dytë e kombit. Në Shqipërinë e sotme, roli i Lindës duket më shumë si një element dekorativ i nevojshëm për të balancuar brutalitetin e liderit.
Nëse Linda Rama është vërtet “gjysma e tij më e mirë” e Edit, atëherë pjesa tjetër e mbetur, është aq dominuese sa e ka asimiluar plotësisht çdo grimë urtësie që ajo mund të pretendojë se i ofron. /tesheshi





