Lira turke lehtëson tregun në Idlib

Në qytetin Idlib në veriperëndim të Sirisë ka krijuar një lehtësim të pjesshëm në fushën e ekomonisë futja në përdorim e Lirës Turke (TL) pas zhvlerësimit të lartë që pësoi Lira Siriane (SL).

Muhsin Hamoud, menaxheri i një zyre për këmbimin valutor, në rajonin Sarmada të Idlibit në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) deklaroi se pas hyrjes së lirës turke në Idlib ka filluar një lehtësim në treg.

“Pas hyrjes së lirës turke në Idlib ka filluar një lehtësim në treg. Situata (ekonomike) u përmirësua disi. Pas kësaj shpresojmë që të gjithë sektorët të kryejnë shit-blerje me lirën turke. Aktualisht lira turke vazhdon në mënyrë efektive praninë e saj. Shpresojmë që të vazhdojë të rritet edhe në ditët e ardhshme”, tha Hamoud.

Ndërsa tregtari i një dyqani në Sarmada, Ali Abu Ras tha se kërkesa për lirën turke është rritur dhe se tregtarët do të drejtohen më shumë në këtë drejtim.

“Punëtorët që punojnë në qytet paguhen me lira turke dhe janë të kënaqur nga kjo situatë. Pas hyrjes në treg të lirës turke erdh deri tek lehtësimi i situatës për popullatën. Ka disa probleme të vogla si mosgjetja e parave por edhe këto besoj se do të zgjidhet me kohë”, theksoi Abu Ras.

Ndërsa edhe Rami Kızzey i cili kryen punë ditore tha se aktualisht ka filluar të përdorë për shit-blerje lirën turke.

“Kemi nevojë për ca kohë që çmimet të stabilizohen dhe që të gjithë të blejnë me lira turke. Atëherë lehtësohet popullata. Kjo (përdorimi i lirës turke) besoj se do të sjellë zhvillim dhe stabilitet. Do të merr fund problemi i tregtarëve, eksportet do t’i kryejnë me lirën turke dhe shitjet do të bëhen me lirën turke. Njoh disa dyqane ushqimore që kohën e fundit ishin mbyllur pasi patën humbje përpara se lira turke të hynte në treg”, tha Kızzey.

Pas zhvlerësimit në monedhën vendase të Sirisë, banorët e Idlibit disa ditë më parë filluan të përdorin në mënyrë aktive lirën turke me qëllim për të mbrojtur fuqinë blerëse. Zhvlerësimi ekstrem i lirës siriane, rriti kërkesën e civilëve dhe pronarëve të bizneseve për lirën turke.