Lista Serbe i jep mbështetje të plotë Vuçiqit të gjejë kompromis me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, kanë takuar sot përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova, të cilët i kanë dhënë, mbështetje të plotë presidentit Vuçiq dhe Qeverisë serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas mediave serbe, takimi i presidentit serb me përfaqësuesit e Listës Serbe ka zgjatur më shumë se katër orë, por nga presidenca serbe, nuk janë bërë publike detajet nga takimi.

Ndërsa, drejtori i i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova është biseduar për gjendjen politike dhe të sigurisë dhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përcjell Telegrafi.

Sipas mediave serbe, përfaqësuesit e Listës Serbe, në mesin e të cilëve ishin Goran Rakiq, Milan Radojiçiq, Nenad Rikalo, Srgjan Popoviq dhe Dalibor Jevtiq, gjatë takimit në Pallatin e Serbia kanë thënë se në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nuk duhet apriori të refuzohet asnjë temë e bisedës, dhe zgjidhje duhet të kërkohet duke marrë parasysh interesat afatgjata të Serbisë dhe popullit serb në tërësi.

Gjuriq, siç thuhet në një kumtesë, ka potencuar nevojën e veprimit të koordinuar të autoriteteve në Beograd dhe përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet e Kosovës, me qëllim të përforcimit sa më të madh të kapaciteteve politike dhe diplomatike në mbrojtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare serbe.

Sipas kumtesës përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova i dhanë mbështetje të plotë Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë në përpjekjet që problemet në Kosovë të zgjidhen me arritjen e një kompromisi që do të garantojë mbijetesën dhe përparimin e popullit serb në Kosovë.