Lista Serbe reagon për sulmin ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, u bën thirrje serbëve për vetëpërmbajtje

Lista Serbe ka dënuar sulmin e sotëm ndaj zyrtarëve policorë të Kosovës, në veri të vendit.

Përmes një reagimi, nga Lista Serbe iu është bërë thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtjeje.

“Ftojmë qytetarët të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon.”,thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Po ashtu në reagimin e Listës Serbe u tha se kush e ka bërë këtë s’e mendon të mirën e popullit serb.

“Kush e ka bërë këtë nuk i mendon mirë popullit serb”.

Ndryshe Policia e Kosovës ka njoftuar sot se zyrtarët policorë janë sulmuar mëngjesin e sotëm me armë zjarri.

Sulmi njoftohet të ketë ndodhur në fshatin Zupçe, të Zubin Potokut, por që për fat të mirë nuk pati të lënduar.

Sulmi i ndodhur mëngjesin e sotëm është i disati me radhë brenda këtij muaji.

Zyrtarët policorë të Kosovës u sulmuan me gurë, iriqë metalikë, me granata ushtarake si dhe me armë zjarri të llojit AK-47.

Lidhur me këto sulme ka patur reagime edhe nga KFOR-i, BE-ja si dhe zyrtarë të shumtë vendor dhe të huaj.

KFOR-i dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar këto sulme, derisa kanë kërkuar që të mos krijohen situatë shqetësuese në veri të vendit.