Lista Serbe shkel rregulloren zgjedhore në Mitrovicë të Veriut

Njohësi i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas votimit në grup të Listës Serbe, duke theksuar se edhe në këto zgjedhje, si në ato lokale, ajo ka votuar në mënyrë të organizuar grupore.

Në një postim në Facebook, Musliu ka deklaruar se Lista Serbe po shkel hapur Rregulloren Zgjedhore, e cila përcakton qartë veprimet e ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore.

Sipas Musliut, Lista Serbe po fton simpatizantët të grumbullohen para zyrave të saj në veri të Mitrovicës dhe në komunat e tjera në ditën e votimit, duke shkelur nenin 8 të rregullores: ndalohet mbajtja e takimeve për qëllime të fushatës apo grumbullimi i zyrtarëve të subjektit politik pranë qendrave të votimit.

Musliu ka bërë thirrje që institucionet relevante, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës, të ndërmarrin veprime ligjore ndaj këtyre shkeljeve.

Ai gjithashtu kujton se gjatë fushatës zgjedhore, Lista Serbe është dënuar me 30 mijë euro pas një ankesë nga një subjekt tjetër politik serb për shkelje të ligjit.