Liverpooli ia shkakton humbjen e parë sezonale Manchester Cityt

Në një ndeshje spektakolare në Anfield, Liverpooli e ka nënshtruar liderin e Ligës Premier, Manchester City, duke e mposhtur me rezultat 4-3.

Mjaftuan nëntë minuta lojë për t’u zhbllokuar rezultati. Alex Oxlade-Chamberlain krijoi hapësirë drejt kundërshtarëve të tij dhe lëshoi një goditje që u ndal në portën e Ederson.

Mysafirët ia dolën ta barazonin rezultatin para se skuadrat të shkonin në pushim. Leroy Sane pranoi një top në krahun e majtë, shkoi vetëm përpara dhe e mposhti portierin Loris Karius (40′).

Spektakli vazhdoi në gjysmën e dytë. Nicolas Otamendi, Oxlade-Chamberlain dhe Mohamed Salah patën rastet e tyre për skuadrat respektive.

Në minutën e 59-të, Oxlade-Chamberlain e gjeti për mrekulli Roberto Firminon, i cili e kishte vërejtur portierin Ederson se kishte dalë përpara dhe e paraboloi.

Menjëherë pas ishte në rast Sadio Mane, mirëpo goditja e tij u përplas në shtyllën e djathtë. Por, përpjekja e senegalezit u shpagua.

Salah e rikuperoi një top nga lojtarët e Cityt dhe asistoi te Mane, i cili me një goditje mbresëlënëse e shënoi golin e tretë të Redsave (61′).

Disa minuta më vonë erdhi momenti i Mohamed Salah. Një dalje e gabuar e portierit Ederson e dërgoi topin vetëm deri te egjiptiani, i cili shënoi një gol të bukur nga largësia (68′).

Në minutat e mbetura të takimit, City arriti të shënonte dy gola. Fillimisht Bernardo Silva (84′) dhe pastaj Sergio Aguero (90’+2) bënë që minutat e fundit të ishin dramatike.

Sidoqoftë, skuadra e Jurgen Klopp ia doli të mbahej në minutat e mbetura për të regjistruar këtë fitore të rëndësishme përballë lideri të kampionatit anglez.

Kjo është humbja e parë e Manchester Cityt në sezonin 2017/2018 pas 20 fitoreve dhe dy barazimeve. Megjithatë, ekipi i Pep Guardiolas është larg rivalëve me 62 pikë të arkëtuara deri më tani.

Liverpooli tash është ngritur në kuotën e 47 pikëve nga 13fitore, tetë barazime dhe dy humbje. Të Kuqtë mbajnë vendin e tretë në tabelë me pikë të barabarta me Chelsean (në vend të katërt) dhe Manchester Unitedin (në vend të dytë) që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.