Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Lufta e egër për pasuesin e Trump-it

Lufta e egër për pasuesin e Trump-it

Dorëheqja e Dan Driscoll, ja ç’po ndodh mes dy kampeve republikane

Pentagoni është përfshirë nga një tjetër tronditje politike. Sekretari i Ushtrisë amerikane, Dan Driscoll, një aleat i afërt i zëvendëspresidentit JD Vance, pritet të largohet nga detyra brenda pak ditësh.

Lajmi, i raportuar nga burime të cituara nga The Hill, ishte paralajmëruar prej disa ditësh, por Shtëpia e Bardhë kishte preferuar që largimi të ndodhte pas zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Por Driscoll ka vendosur të përshpejtojë dorëheqjen. Edhe zëvendëssekretari i Ushtrisë, Dave Fitzgerald, pritet të largohet gjatë kësaj jave. Në pamje të parë, bëhet fjalë për një ndryshim të rëndësishëm në strukturën drejtuese të Pentagonit.

Por në realitet, largimi i Driscoll është shumë më tepër se një dorëheqje administrative. Ai ndodh në një moment kur administrata amerikane përballet me krizën iraniane, tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme dhe përpjekjet për të rikthyer negociatat me Moskën mbi luftën në Ukrainë.

Driscoll ishte prej kohësh një nga njerëzit më të afërt me J.D.Vance, dhe pikërisht kjo e bëri marrëdhënien e tij me sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjithnjë e më të tensionuar. Përplasjet mes tyre nuk janë të reja.

Hegseth u irritua kur Driscoll ftoi Donald Trump të vizitonte Departamentin e Mbrojtjes dhe nuk e priti mirë përfshirjen e tij në procesin diplomatik për Ukrainën.

Marrëdhënia u përkeqësua edhe më tej kur, në prill, Hegseth shkarkoi shefin e shtabit të Ushtrisë, Randy George, një figurë e konsideruar e afërt me Driscoll.

Në një dëshmi para Kongresit, Driscoll shprehu publikisht keqardhjen për shkarkimin, duke i dërguar Hegseth një goditje politike që nuk mund të interpretohej thjesht si mospajtim profesional.

Por pas kësaj përplasjeje qëndron një luftë shumë më e madhe. Hegseth dyshohet se ka frikë se Driscoll, përmes lidhjes së tij me Vance, mund të shndërrohej në një alternativë për drejtimin e Pentagonit.

Në këtë kuptim, goditja ndaj Driscoll mund të jetë edhe një goditje indirekte ndaj vetë Vance. Dy figurat kryesore të administratës republikane, janë gjithnjë e më të ndara edhe për mënyrën se si duhet menaxhuar kriza me Iranin.

Vance është shfaqur më i prirur drejt një zgjidhjeje diplomatike, ndërsa Hegseth ka mbështetur një qasje më të ashpër dhe më të afërt me qëndrimet e Izraelit.

Kjo nuk është më thjesht një diferencë taktike brenda administratës. Është një përplasje për drejtimin e politikës së jashtme dhe të sigurisë amerikane. Dhe këtu hyn në lojë viti 2028.

Hegseth thuhet se po shqyrton mundësinë për të kandiduar për nominimin presidencial republikan. Nëse kjo ndodh, ai do të përballet drejtpërdrejt me Vance, i cili konsiderohet një nga pretendentët më të fortë për Shtëpinë e Bardhë pas përfundimit të mandatit të Trump.

Pra, ajo që po ndodh në Pentagon mund të jetë vetëm fillimi i një beteje shumë më të madhe për trashëgiminë politike të Trump-it.

Driscoll është një aleat i Vance, Hegseth është një rival i mundshëm dhe Pentagoni po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga arenat ku po përcaktohet ekuilibri i ardhshëm i pushtetit republikan.

Problemi i Hegseth është se pozita e tij nuk duket aq e fortë sa mund të dëshironte. Disa republikanë në Kongres kanë shprehur shqetësime për mënyrën se si ai po menaxhon krizën iraniane dhe konfliktet e brendshme në Pentagon.

Edhe Trump, megjithëse publikisht i ka mohuar tensionet, raportohet se është i pakënaqur me problemet që po shfaqen në furnizimin me municione. Hegseth mund të jetë duke luajtur një lojë shumë të rrezikshme.

Në përpjekje për të dobësuar aleatët e Vance brenda Pentagonit dhe për të forcuar pozitat e veta, ai mund të jetë duke bërë pikërisht të kundërtën: duke e kthyer Vance në përfituesin kryesor të një beteje që sapo ka filluar.

Në Uashington, lufta për pushtet nuk nis gjithmonë me një kandidaturë presidenciale. Ndonjëherë, ajo nis me një dorëheqje. /tesheshi