Pse marrëveshja mund të ndryshojë ekuilibrat ushtarakë në rajon
Marrëveshja e mbrojtjes mes Arabisë Saudite dhe Sirisë mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në ekuilibrat ushtarakë të Lindjes së Mesme, veçanërisht në luftën e Jemenit kundër rebelëve huthinj, të mbështetur nga Irani.
Përtej mundësisë së një bashkëpunimi të drejtpërdrejtë në terren, pakti shënon afrimin strategjik mes Riadit dhe udhëheqjes së re siriane, duke i dhënë Damaskut një rol më të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë rajonale.
Spekulimet për një kërkesë saudite për ndihmë ushtarake siriane nisën pas vizitës së presidentit Ahmed al-Sharaa në Riad më 6 tetor, ku ai u takua me princin e kurorës, Mohammed bin Salman.
Më 4 nëntor, Al-Sharaa u rikthye në kryeqytetin saudit, këtë herë i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë, ku përfshiheshin ministrat e Jashtëm, të Mbrojtjes, të Financave dhe të Industrisë, si dhe drejtuesi i shërbimeve të inteligjencës.
Vizita përfundoi me nënshkrimin e një marrëveshjeje për mbrojtjen, krahas disa marrëveshjeve ekonomike që parashikojnë mbi 403 milionë dollarë kredi koncesionare për financimin e projekteve të shërbimeve publike në Siri.
Përvoja siriane, një avantazh në terren
Interesi i Arabisë Saudite për bashkëpunimin ushtarak me Damaskun lidhet edhe me përvojën e luftëtarëve të ushtrisë së re siriane.
Një pjesë e konsiderueshme e saj, përbëhet nga ish-luftëtarë të opozitës që për vite me radhë u përballën me forcat e Bashar Al-Assad dhe milicitë e mbështetura nga Irani, shpesh nën bombardimet ruse, deri në rënien e regjimit në dhjetor 2024.
Këta luftëtarë kanë përvojë në luftën guerile, në operacionet urbane dhe në terrene malore, aftësi që mund të rezultojnë të vlefshme përballë huthinjve.
Këta të fundit kanë dëshmuar se janë në gjendje të zhvillojnë luftëra të gjata rraskapitjeje dhe t’u shkaktojnë vështirësi edhe forcave konvencionale.
Siria disponon gjithashtu komandantë dhe luftëtarë me përvojë, njohuritë operative të të cilëve mund të shfrytëzohen për trajnimin dhe planifikimin ushtarak.
Megjithatë, përmasat e përfshirjes siriane mbeten të paqarta. Reuters raportoi se dhjetëra trupa siriane kishin udhëtuar drejt Arabisë Saudite për të këshilluar dhe trajnuar njësi saudite e jemenase.
Ndërsa AFP, duke cituar burime ushtarake dhe të mbrojtjes pranë autoriteteve jemenase të mbështetura nga Riadi, raportoi se qindra ushtarë sirianë ishin vendosur në të dyja anët e kufirit mes Arabisë Saudite dhe Jemenit.
Damasku i ka mohuar këto raportime. Më 9 nëntor, ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shaibani, deklaroi se vendi nuk kishte trupa në Jemen dhe nuk kishte plane për të dërguar forca atje në të ardhmen e afërt. Sipas tij, marrëveshja përqendrohet te rindërtimi i ushtrisë siriane, trajnimi, shkëmbimi i ekspertizës dhe konsultimet ushtarake.
Një partneritet me përfitime të ndërsjella
Bashkëpunimi mund të jetë i dobishëm për të dyja palët. Arabia Saudite mund të përfitojë nga përvoja siriane në luftën kundër milicive dhe në operacionet tokësore, ndërsa Damasku mund të mbështetet te kapacitetet financiare, teknologjike dhe institucionale saudite për të modernizuar ushtrinë e tij.
Siç i tha një zyrtar i lartë saudit Reuters-it, bashkëpunimi synon kryesisht ristrukturimin e forcave të armatosura siriane, duke shfrytëzuar njëkohësisht përvojën e tyre në luftën kundër milicive.
Kjo marrëveshje vjen pas një tjetër akordi për trajnimin dhe këshillimin ushtarak mes Sirisë dhe Turqisë, në gusht 2025, duke dëshmuar përpjekjet e Damaskut për të ndërtuar një ushtri më profesionale dhe për të forcuar pozicionin e tij në rajon.
Pakti mund të hapë gjithashtu rrugën për afrimin e mëtejshëm të Sirisë me Aleancën e Mekës, një strukturë bashkëpunimi për sigurinë rajonale, anëtarësimi në të cilën është përmendur nga diplomacia siriane.
Për Riadin, afrimi me Damaskun ka edhe një dimension më të gjerë strategjik. Pas rënies së Assadit, Arabia Saudite kërkon një Siri të qëndrueshme, me institucione funksionale dhe kontroll mbi territorin e saj, duke kufizuar mundësinë e rikthimit të ndikimit iranian.
Megjithatë, marrëveshja nuk nënkupton domosdoshmërisht hapjen e një fronti të ri kundër Teheranit. Të dyja palët kanë shprehur mbështetje për uljen e tensioneve rajonale, ndërsa Riadi vazhdon të mbajë kanale komunikimi me Iranin.
Për Damaskun, partneriteti me Arabinë Saudite sjell mbështetje politike dhe ekonomike në një moment vendimtar të rindërtimit të vendit.
Investimet e Gjirit janë thelbësore për rimëkëmbjen ekonomike, ndërsa afrimi me Riadin i ka ndihmuar udhëheqjes së re siriane të zgjerojë marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Evropën.
Në këtë kuadër, marrëveshja nuk është thjesht një instrument bashkëpunimi ushtarak. Ajo përfaqëson një hap drejt rikthimit të Sirisë në marrëdhëniet rajonale të sigurisë, duke i dhënë vendit mundësinë të shndërrohet nga një territor i shkatërruar prej luftës në një aktor me rol më të drejtpërdrejtë në ekuilibrat e Lindjes së Mesme. /tesheshi




