Eskatologjia e dhunshme dhe ndikimi i nacionalizmit të krishterë në politikën e jashtme amerikane
Nga Matthew Burkholder, The Conversation
Ushtarët amerikanë kanë paraqitur mbi 100 ankesa në Fondacionin për Liri Fetare Ushtarake (MRFF), duke denoncuar përdorimin e retorikës ekstremiste nga komandantët e tyre.
Sipas dëshmive, disa e cilësojnë konfliktin me Iranin si një “luftë të shenjtë”, duke pretenduar se Donald Trump është i “bekuar nga Zoti” për të shkaktuar Armagedonin dhe për të sjellë rikthimin e Jezusit në Tokë.
Mikey Weinstein, presidenti i MRFF-së, tregon se shumë ushtarë ndihen të alarmuar nga euforia e eprorëve të tyre. Kjo ideologji portretizon një version të “Jezusit të armatosur”, duke e parë luftën jo si një mjet diplomatik, por si një domosdoshmëri profetike.
Kjo retorikë përkon me deklaratat e ambasadorit amerikan në Izrael, Mike Huckabee mbi pretendimet biblike të Izraelit në rajon. Ndërkohë, televangjelistë si John Hagee parashikojnë një pushtim të afërt të Izraelit nga Rusia dhe Irani, i cili sipas tyre do të përfundojë me shkatërrimin e këtyre vendeve nga ndërhyrja hyjnore.
Si një studiues i teologjisë, unë vërej se lëvizjet ungjillore të lidhura me politikën MAGA përqafojnë interpretime të dhunshme të “eskatologjisë”, teologjisë së fundit të botës.
Nacionalizmi i krishterë i bardhë, ka formësuar një vizion ku katastrofat globale shihen si hapa të nevojshëm për përmbushjen e planeve hyjnore, duke i dhënë Trumpit një rol gati mesianik.
Të krishterët ungjillorë, identifikohen zakonisht nga besimi i fortë te Bibla dhe rëndësia e konvertimit personal. Megjithatë, studimet e mia tregojnë se fokusi i tyre te “shlyerja e mëkateve” – domethënia e vdekjes së Jezusit – është thellësisht i lidhur me mënyrën se si ata e parashikojnë fundin e botës dhe rolin e dhunës në të.
Pikëpamja se Trump po shkakton Armagedonin, Apokalipsin bazohet në një lexim fjalëpërfjalshëm të Librit të Zbulesës. Sipas këtij interpretimi, sapo Izraeli të restaurohet plotësisht dhe tempulli në Jerusalem të rindërtohet, do të nisë akti final i historisë.
Në këtë skenar, Trump shihet si njeriu agresiv që lehtëson gjykimin e dhunshëm të Zotit mbi armiqtë. Ekziston një lidhje e fortë midis besimit te “shlyerja” dhe pranimit të dhunës. Teologë si J.I. Packer argumentojnë se vdekja e Jezusit ishte një “pagesë” për mëkatet, ku Perëndia orkestroi dhunën për të vendosur drejtësinë.
Ky kuadër teologjik, e bën më të lehtë justifikimin e dhunës si një mjet shëlbues edhe në politikën e sotme. Nga ana tjetër, të krishterët jo-ungjillorë e shohin vdekjen e Jezusit si një shembull të dashurisë dhe martirizimit, duke e hedhur poshtë dhunën si kusht për falje.
Studiuesit vërejnë se ata që besojnë te dhuna hyjnore, kanë shpesh një ndjenjë më të ulët përgjegjësie për reduktimin e vuajtjeve njerëzore. Ata priren të zëvendësojnë “mësuesin e paqes” te Mateu me ”luftëtarin mbi kalë” te Zbulesa, duke e parë sjelljen jo të dhunshme si të papajtueshme me nevojat e betejës finale politike dhe fetare.
Së fundmi, unë mendoj se të krishterët duhet të besojnë në një Zot të jetës dhe jo të vdekjes së dhunshme. Një teologji që e portretizon Perëndinë si hakmarrës e lë njerëzimin pa shpresë dhe imiton gjuhën e perandorive shtypëse.
Dashuria e Perëndisë, duhet të shërbejë për të ndërtuar ura dhe jo për të shkatërruar botën. /tesheshi








