Çmimi i naftës fluturon në 115 dollarë për fuçi, teksa paralajmërohet kapërcimi i pragut prej 150 dollarësh
Tregjet globale të energjisë janë përfshirë nga një destabilizim i paprecedentë, ndërsa operacionet ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit kanë hyrë në javën e tyre të dytë.
Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalon 20 për qind e furnizimit botëror, ka bërë që nafta e papërpunuar Brent të kthehet në nivelet më të larta që nga viti 2022, duke u tregtuar me 115.31 dollarë.
Ndërkohë, nafta bruto ëest Texas Intermediate ka shënuar një rritje akoma më agresive prej 28 për qind, duke arritur në 116.33 dollarë për fuçi. Kjo rritje galopante po përkthehet në kaos social dhe tragjedi njerëzore në Azinë Jugore.
Në Pakistan, ku çmimi i benzinës u rrit me 55 PKR brenda natës duke arritur në 321 PKR për litër, blerjet në panik kanë çuar në incidente me armë zjarri. Në Sialkot dhe Karaçi janë raportuar viktima në radhët e gjata të karburantit, pasi punonjësit e pompave u detyruan të zbatonin racionimin e rreptë.
Pakistani dhe India konsiderohen si tregjet më të brishta për shkak të varësisë totale nga importet që kalojnë përmes rrugëve detare të Lindjes së Mesme. Në Bangladesh, situata është përshkallëzuar në masa drastike të kursimit.
Autoritetet i kanë mbyllur universitetet dhe e kanë ndërprerë punën në pesë fabrika plehrash për të ruajtur rezervat e mbetura të energjisë. Konsumatorët përballen me kufizime të rrepta: motoçikletat lejohen të furnizohen me vetëm dy litra, ndërsa makinat me dhjetë litra.
Katari, një furnizues kyç, ka paralajmëruar se do të shpallë ndalimin e të gjitha eksporteve nëse konflikti vazhdon. Analistët paralajmërojnë se kjo “stuhi e përsosur” mund të çojë çmimin e fuçisë në 150 dollarë brenda dy javësh.
Ndërsa Japonia po shfrytëzon rezervat kombëtare për të mbajtur ekonominë në këmbë, sulmet e fundit në depot e naftës në Teheran sugjerojnë se spiralja e konfliktit po vetëm sa po zgjerohet.
Vetë Sekretari amerikan i Energjisë ka deklaruar se çmimet e larta do të jenë realitet për javët në vijim, duke lënë ekonominë globale në një pasiguri totale. /tesheshi




