Lufta e Ukrainës ekspozoi qëndrimin negativ të evropianëve ndaj refugjatëve muslimanë

Sipas një raporti mbi islamofobinë në Evropë, viti 2022 i lënë në hije nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, anashkaloi çështjet e brendshme, përfshirë islamofobinë në disa vende, si dhe ekspozoi “perspektivën stereotipike” të evropianëve në lidhje me refugjatët, transmeton Anadolu.

“Pushtimi rus i Ukrainës ka zbuluar perspektivën stereotipike të shumë evropianëve kundrejt llojeve të ndryshme të refugjatëve, duke mirëpritur ukrainasit e bardhë dhe të krishterë (femra) në krahasim me rezistencën shpesh të dhunshme dhe refuzimin e refugjatëve muslimanë”, tha Raporti Evropian i Islamofobisë 2022 në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Diskriminimit Racor, më 21 mars.

Bashkë-redaktori i raportit, Enes Bayrakli, i cili gjithashtu është profesor në Universitetin Turk-Gjerman, tha se në raportin që mbulon 21 vende u diskutuan deklaratat anti-muslimane në mediat kombëtare, racizmi në ligje dhe politika.

Raporti u prezantua në një uebinar, ndërsa në panel pjesëmarrës ishin katër autorë, përfshirë profesori në Kolegjin Williams në Massachusetts të SHBA-së, Farid Hafez. Në këtë aktivitet u diskutua për gjendjen e islamofobisë në Francë, Belgjikë, Austri dhe Holandë.

Në panel, folësja Kawtar Najib nga Universiteti Newcastle tha se veçanërisht viti 2022 në Francë ishte islamofobik në fushën politike dhe mediatike, veçanërisht gjatë zgjedhjeve presidenciale.

“Islamofobia është shumë e pranishme në politike dhe madje e mbjell në ligje. Pra, në vend që të kemi ligje që mbrojnë pakicat fetare dhe etnike, ne kemi shumë ligje diskriminuese”, tha ajo.

Shpallja e 15 marsit si Dita Ndërkombëtare e Luftimit të Islamofobisë, një sukses i madh

Raporti vlerëson rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për shpalljen e 15 marsit si Ditën Ndërkombëtare të Luftimit të Islamofobisë.

Duke pohuar se politika mbetet shtytësi thelbësor i islamofobisë, raporti prej 584 faqesh përfshin efektet e luftës së vazhdueshme në Ukrainë, mbulimin e Kupës Botërore të FIFA-s në Katar nga mediat evropiane, si dhe mënyrën se si legjislacioni dhe masat anti-muslimane u zhvilluan në vende si Franca dhe Austria.

Franca vazhdoi rrugën e saj të një goditjeje ndaj muslimanëve dhe politika e “pengimit sistematik” të qeverisë franceze midis muajve janar dhe gusht të vitit 2022 çoi në kontrollin e 1.727 institucioneve muslimane, në mbylljen e dhjetë prej tyre, si dhe në 10 milionë euro të sekuestruara.

Në Belgjikë, ministri i Drejtësisë ushtroi presion ndaj imamit kryesor të Xhamisë së Madhe të Brukselit që ta japë dorëheqjen ose në të kundërtën do të rrezikonte humbjen e fondeve të qeverisë për xhaminë.

Në Danimarkë u sugjerua ndalimi i hixhabit në shkollat fillore. Vendi gjithashtu u kritikua nga Komisioni Evropian për rritjen e diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes kundër muslimanëve.

Ndërkohë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, injoroi luftën kundër islamofobisë, mbrojti parandalimin e strategjisë së qeverisë kundër terrorizmit, si dhe u zotua ta fokusojë atë në kërcënimin e të ashtuquajturës “ekstremizëm islamik”.

Të dhënat zyrtare të qeverisë për aktet e urrejtjes fetare në Mbretërinë e Bashkuar shënuan një rritje prej 37 për qind, duke arritur në gjithsej 8.730 raste, prej të cilave 42 për qind përfshinin viktima muslimane.

Në Gjermani nga policia janë regjistruar 364 krime islamofobike. Një organizatë joqeveritare që fokusohet në racizmin anti-musliman në Austri vitin e kaluar raportoi 1 mijë raste të krimeve të urrejtjes kundër muslimanëve.