Luftime të ashpra në Afganistan

Luftime të ashpra janë raportuar më 8 gusht në provincën Kunduz të Afganistanit midis militantëve talibanë dhe forcave qeveritare.

Talibanët po synojnë marrjen nën kontroll të qyteteve të mëdha, pasi kanë shtrirë kontrollin në shumë zona rurale.

Që nga data 6 gusht militantët morën kontrollin e dy kryeqyteteve të provincave, por marrja nën kontroll e kryeqytetit të provincës Kunduz, me rreth 375.000 banorë, do të ishte fitorja më e rëndësishme deri më tani.

Talibanët filluan një ofensivë kundër forcave qeveritare që kur Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera, në muajin maj, filluan tërheqjen e forcave të tyre nga Afganistani, pas rreth 20 vjetësh të operacioneve luftarake atje.
Mediat raportojnë se disa ndërtesa kryesore qeveritare në Kunduz janë marrë nën kontrollin e talibanëve.

“Luftime të ashpra janë duke vazhduar në pjesë të ndryshme të qytetit. Disa forca të sigurisë janë tërhequr drejt aeroportit”, tha Amruddin Wali, anëtar i këshillit krahinor të Kunduzit.

Drejtoria e Shëndetit Publik në këtë provincë tha se të paktën 11 persona janë vrarë dhe 39 janë plagosur gjatë luftimeve që filluan në mbrëmjen e 6 gushtit.

“Talibanët kanë arritur në sheshin kryesor të qytetit. Avionët po i bombardojnë ata”, tha Abdul Aziz, një banor i Kunduzit.

Kaos i plotë

Rënia në duart e talibanëve e Kunduzit do të ishte një goditje e madhe për qeverinë e Kabulit, e cila kryesisht ka braktisur luftimet në fshatra për të mbrojtur qytetet kryesore.

Më 6 gusht, talibanët morën kontrollin e kryeqytetit të parë krahinor, Zaranj në provincën e largët jugperëndimore Nimroz. Një ditë më vonë ata vendosën nën kontroll edhe Sheberghanin, kryeqytetin e provincës veriore Javzjan.

Më 7 gusht avionët luftarakë amerikanë bombarduan pozicionet e talibanëve në Sheberghan.

“Forcat amerikane kanë kryer disa sulme ajrore në mbrojtje të partnerëve tanë afganë ditët e fundit”, tha për AFP, major Nicole Ferrara, një zëdhënëse e Komandës Qendrore të Ushtrisë Amerikane.

Raportohet gjithashtu për luftime të ashpra në veri të vendit në Talokuan, kryeqyteti i Provincës Takhar dhe Faiz Abad, kryeqyteti i provincës Badakhshan.
Luftimet u raportuan gjithashtu në periferi të qyteteve kryesore të Heratit, në perëndim, dhe Lashkar Gah dhe Kandahar në jug.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit. /rel