Shteti i Serbisë nuk po bashkëpunon me organet e drejtësisë kosovare për zbardhjen e identitetit të vrasësit të Oliver Ivanoviqit.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi në një intervistë për Arbresh.info ka thënë se kjo çështje është duke u hetuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, ku me rastin janë duke u marrë një prokuror shqiptar dhe një serb.
Sipas Lumezit, prokuroria ka mbledhur disa prova, mirëpo ende janë në kërkim të zbardhjes së identitetit të vrasësit të Ivanoviqit.
“Ne i kemi disa prova, të cilat i kemi siguruar deri tani, mirëpo nevojitet që ende të marrim veprime për zbulimin e identitetit të kryerësit të veprës penale. Ka pasur kërkesa edhe nga autoritetet e Serbisë që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, mirëpo ne u kemi thënë se ne jemi të gatshëm të t’i marrim të gjitha informacionet të cilat ata eventualisht i posedojnë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, siç është e paraparë edhe me ligjin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nuk na kanë dhënë ende informacione, jemi duke pritur”, shprehet Kryeprokurori Lumezi.
Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri mëngjesin e 16 janarit, deri sa po shkonte në zyrën e tij./Arbresh