Lutfi Haziri zyrtarizon kandidaturën për kryetar të LDK-së

Lutfi Haziri ka zyrtarizuar sot kandidaturën për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Haziri në një konferencë për media tha se është krenar për 31 vjet të ecjes në rreshtin e madh të Rugovës.

“Kësaj here LDK-ja doli keq. Rezultati i saj tregon për humbje besimi.. Ne vlerësojmë shumë gjeneratat që kontribuojnë edhe sot, po ashtu vlerësojmë përvojën dhe rezistencën e gjeneratave të vjetra të LDK-së, gjeneratave të mesme që është gjeneratë e Republikës…”, tha ai, duke shtuar se këta janë breza me të cilët do të jenë të angazhuar për ta kthyer LDK-në aty ku e ka vendin, në partinë e parë.

“Këto duhet të jenë zgjedhje të LDK-së, jo për të larguar të tjerët, por për t’i afruar ata që kanë humbur besim, ata që janë dëshpëruar dhe ata që janë larguar të pakënaqur, kur njerëzit nuk ndihen të eliminuar por bashkohen për të bërë shumë…Zgjedhje kur respektohet veprimtari dhe i hapet dera të riut”, tha ai.

Haziri tha më tej se në klubin e politikëbërjes, në familjen e madhe të Bashkimin Evropian nuk mund të hyhet me zhurmagji, me ata që bëjnë politika të këqija e që kanë probleme me ligjin dhe krimin e organizuar.

“Ndryshimi i madh ka me ndodh dhe ky rikthim i madh i LDK-së si parti e parë është gardian i kësaj Republike”, tha ai.