Macron: Do të punojmë me presidentin Erdoğan për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme në Ukrainë

Macron u adresua në një konferencë shtypi në Bruksel pas samitit të liderëve të NATO-s dhe G7-tës

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të punojnë me presidentin e Turqisë Recep Tayyip Erdoğan për një “armëpushim” dhe një marrëveshje për “paqe të qëndrueshme” në Ukrainë, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë shtypi në Bruksel pas samitit të liderëve të NATO-s dhe G7-tës, Macron tha se është në koordinim me liderët që flasin me presidentin rus Vladimir Putin.

Duke theksuar se Erdoğan dhe ai kanë “të njëjtën perspektivë” për luftën Rusi-Ukrainë, Macron tha se liderët ranë dakord gjithashtu për një operacion të përbashkët humanitar në Ukrainë, veçanërisht në qytetin Mariupol.

Në takimin me Erdoğan-in u diskutuan edhe çështjet rajonale, shtoi Macron, duke theksuar se situata aktuale është një mundësi për të eliminuar dhe sqaruar pasiguritë me Turqinë.

Mund të bëhet përparim në çështjet ku ka pasur dallim mendimi me Turqinë në vitet e kaluara, tha gjithashtu Macron, duke shtuar se mund të ripërcaktohet një strategji e bazuar në bashkëpunimin për Libinë dhe Lindjen e Mesme. /aa