OKB thirrje Izraelit të hetojë raportet për keqtrajtimin e të burgosurve palestinezë

Një eksperte e Organizatës së Kombeve të Bashkuara i ka bërë thirrje Izraelit të hetojë akuzat e shumta për trajtim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues të të burgosurve palestinezë pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi.

Sipas Reuters, Raportuesja Speciale e OKB-së për Torturën, Alice Jill Edwards, tha në një deklaratë se ajo kishte marrë akuza për njerëz që ishin dhunuar, të mbajtur në qeli me sy të lidhur dhe me pranga për periudha të gjata.

Nuk pati asnjë reagim të menjëhershëm nga qeveria apo ushtria izraelite, raportoi Reuters.

Ushtria ka deklaruar se vepron sipas ligjit izraelit dhe ndërkombëtar dhe se të arrestuarit kanë akses në ushqim, ujë, ilaçe dhe veshje të përshtatshme.

Reuters raporton se raportuesja speciale e OKB-së tha se ajo kishte marrë raporte për disa të burgosur të privuar nga gjumi, të kërcënuar me dhunë fizike dhe seksuale, të fyer dhe të ekspozuar ndaj akteve poshtëruese, duke përfshirë “të fotografuar në poza degraduese”.

“Autoritetet izraelite duhet të hetojnë të gjitha ankesat dhe raportet e torturës ose keqtrajtimit menjëherë, në mënyrë të paanshme, efektive dhe transparente. Personat përgjegjës, duke përfshirë komandantët, duhet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa viktimat kanë të drejtën e dëmshpërblimit dhe kompensimit”, tha ajo. /abcnews