Macron: Nuk duhet përjashtuar mundësia e dërgimit të trupave në Ukrainë

Emmanuel Macron

Dërgimi i trupave në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet, përsëriti presidenti francez Emmanuel Macron, transmeton Anadolu.

“Unë nuk përjashtoj asgjë sepse ne po përballemi me dikë (Rusia) që nuk përjashton asgjë”, tha Macron për revistën britanike “The Economist” kur u pyet nëse ai është ende i mendimit siç ishte muajt e fundit për mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë.

Duke përsëritur se Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë, ai shtoi: “Nëse Rusia fiton në Ukrainë, nuk do të ketë siguri në Evropë. Kush mund të pretendojë se Rusia do të ndalet atje?”.

Duke pasur parasysh këtë, asgjë nuk duhet të përjashtohet për të mos i lejuar Rusisë një fitore në Ukrainë, tha Macron.

I pyetur nëse aleatë të tjerë të Ukrainës pajtohen me të për dërgimin e trupave në Ukrainë si një mjet parandalues kundër Rusisë, ai u shpreh: “Nëse rusët do të kalonin vijën e frontit, nëse do të kishte një kërkesë nga Ukraina – gjë që nuk është kështu sot – në mënyrë legjitime do të duhej t’ia bënim vetes këtë pyetje”.