Maduro i Venezuelës paralajmëron liderët botëror për fushatën ushtarake amerikane

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u ka dërguar një apel zyrtar të gjitha 193 vendeve anëtare të OKB-së dhe liderëve të Karaibeve, duke i paralajmëruar për një “përshkallëzim të agresionit jashtëzakonisht serioz” nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.

Në një letër të lexuar publikisht nga ministri i Punëve të Jashtme, Yvan Gil, Karakasi bëri thirrje për dënimin ndërkombëtar të veprimeve ushtarake amerikane në Karaibe.

Qeveria e Venezuelës po kërkon një ndalesë të menjëhershme të bllokadave detare dhe “sulmeve të armatosura”, si dhe një hetim të pavarur shumëpalësh për shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut.

Maduro i përqendroi ankesat e tij në operacionin “Shtiza Jugore”, një vendosje në shkallë të gjerë detare dhe ajrore amerikane. Karakasi pretendon se ky operacion përfshin praninë e nëndetëseve bërthamore në bregdetin e Venezuelës.

Derisa Washingtoni zyrtarisht e ka karakterizuar vendosjen si një mision kundër narkotikëve, letra e Maduros e përshkruan atë si një “akt frikësimi të paparë në rajon në dekadat e fundit”.

Presidenti venezuelas detajoi një sërë veprimesh ushtarake që ndodhën midis shtatorit dhe dhjetorit të këtij viti, duke numëruar 28 sulme të armatosura në Detin e Karaibeve dhe Oqeanin Paqësor Lindor kundër anijeve civile, të cilat kanë rezultuar në 104 ekzekutime jashtëgjyqësore, “shumë prej tyre në kushte të fundosjes së anijeve”.

Letra pohon se këto veprime përfaqësojnë një shkelje sistematike të kornizave ligjore ndërkombëtare. Maduro argumenton se SHBA-ka po vepron jashtë Kartës së OKB-së, Konventës së Gjenevës të vitit 1949 dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut.

“Venezuela nuk ka kryer asnjë akt që justifikon këtë frikësim ushtarak”, thuhet në letër, duke e përshkruar strategjinë e SHBA-së si “përdorim vdekjeprurës të forcës jashtë çdo kornize ligjore ndërkombëtare”.

Dokumenti gjithashtu thekson se operacionet kanë shkaktuar “debat të fortë” brenda Kongresit të SHBA-së në lidhje me ligjshmërinë dhe bazën e tyre kushtetuese.

Maduro tha se praktika e piraterisë shtetërore është “një kërcënim i drejtpërdrejtë për rendin ligjor ndërkombëtar dhe sigurinë globale”.

Ai paralajmëroi se sulmet jo vetëm që do të ndikojnë në vendin e tij, por edhe se bllokada dhe pirateria kundër tregtisë së energjisë venezueliane do të ndikojnë në furnizimet me naftë dhe energji dhe do të rrisin paqëndrueshmërinë në tregjet ndërkombëtare, duke ndikuar gjithashtu në ekonomitë e rajonit dhe të botës.