Mali i Zi – Arrestohet Kryetari i Gjykatës Ekonomike

Blazho Jovaniq

Me urdhër të Kryeprokurorit Special në Mal të Zi u arrestua Kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniq dhe disa persona të tjerë në disa qytete të vendit, të cilët dyshohen për krijimin e organizatës kriminale, keqpërdorim të detyrës, duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit që llogariten në disa dhjetëra milion euro. Arrestimi i këtyre personave pasoi pas burgosjes së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë të Malit të Zi, Vesna Medenica, mbi të cilën po ashtu rëndon akuza për krijimin e organizatës kriminale dhe keqpërdorim detyre.

Zyrtarët e Malit të Zi përshëndesin aksionin

Kryeministri Dritan Abazoviq përshëndeti aksionin e Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe tha se ai paraqet përgjigjen më të mirë ndaj kritikave për përpjekje të pamjaftueshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas Abazoviq, i cili në Qeverinë e mëparshme ka qenë dhe koordinator i angazhuar për shërbimin e sigurisë, tha se “drejtësia ka nisur më parë, vetëm tani do të marrë edhe më shumë vrull. ”Grupet mafioze nënvizoi ai i kanë sjellë dëme të mëdha shtetit në periudhën e mëparshme dhe se aksioni në fjalë është fillim i mbarë. Tani ka ardhur koha që secili të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë.

Edhe Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Filip Axhiq përshëndeti aksionin e Drejtorisë së Policisë në arrestimin e Kryetarit të Gjykatës Ekonomike dhe bashkëpunëtorëve të tij. “Ne mirëpresim aksionin e policisë, aksion që është ndërmarrë me urdhër të kreut të porsazgjedhur të prokurorisë speciale dhe se “ky është vetëm fillimi në forcimin e besimit në institucionet e sigurisë”. (…) “Veprimet si këto të fundit, janë treguesi më i mirë i përkushtimit të luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është i një nga prioritetet kryesore të Qeverisë”, tha ministri Axhiq. Ka kohë që në raportet e bashkësisë ndërkombëtare thuhet se në Mal të Zi ekziston e ashtuquajtura “mafia e falimentimit”, e cila përbëhet nga një rrjet gjyqtarësh të korruptuar dhe administratorësh të falimentimit, të cilët me veprime antiligjore i kanë sjellë dëme të mëdha shtetit. Emri i Kryetarit të Gjykatës Ekonomike të posaarrestuar ka qenë një ndër emrat shumë të përfolur. /trt