Manchester City “pushton” Evropën

Manchester City nën udhëheqjen Pep Guardiolas e përmbushi tripletën për edicionin 2022/23. City në finalen e madhe të zhvilluar në stadiumin ““Ataturk Olympic Stadium” të Stambollit fitoi titullin e Championsit për herë të parë në histori, derisa e përmbushi tripletën pasi ka fituar titullin e kampionit të Premier Leagues dhe Kupën FA.

Një gol i Rodrit në minutën e 68 të ndeshjes ishte i mjaftueshëm që City të ngrejë lartë trofeun e Championsit.

Sa i përket ndeshjes, në pjesën e parë momenti më i rëndësishëm ishte në minutën e 36-të kur Kevin De Bruyne la fushën për shkak të një lëndimi.
Bernardo Silva, Erling Haaland dhe De Bruyne provuan për Cityn. Haaland kishte rastin më të mirë, por Andre Onana reagoi me sukses.

Interi ka provuar disa herë, por pa rrezikuar seriozisht. Në minutën e 26-të Nicolo Barella provoi nga distanca pas gabimit të portierit të Cityt, por topi përfundoi larg prej portës.

Ndërkaq në pjesën e dytë ishte edhe më e zjarrët. Lautaro Martinez në minutën e 59’ kishte mundësi të mirë por Ederson priti tentimin e futbollistit argjentinas.
Ndërsa në minutën e 68’ Rodri shënoi me goditje të saktë pas një topi të kthyer.

Vetëm tre minuta me pas Interi ka lëshuar rast të artë me Dimarco, që fillimisht goditi traversën, derisa me kokë goditi edhe pas topit të kthyer, por topi u bllokua nga Lukaku.

Phil Foden ka mundur ta dyfishoi epërsinë por Onana e fitoi betejën me futbollistin anglez. Kurse në minutat e fundit të kohës së rregullt Ederson u tregua vendimtar pasi priti tentimin me kokë nga Lukaku.

Gola më nuk pati, ndonëse kishte momente drithëruese në fundin e ndeshjes.