“Në atë vend ku mbushen xhamitë me fëmijë, aty ka shpresë për një të ardhme më të ndritur”, u shprehën muhafizet e Akademisë së Kur’anit “Hifdh Kids”, Hfz. Fatime Nitaj dhe Hfz. Rineta Nitaj, gjatë organizimit madhor të shpërndarjes së mbi 200 dhuratave për nxënësit e kësaj akademie, në shenjë mikëpritjeje të muajit të bekuar të Ramazanit, në Xhaminë Alauddin në Prishtinë.
“Fëmijët ndezën dritat e xhamisë me gëzim të madh, duke i lënë ato të ndezura përgjatë tërë muajit, sepse gjatë këtij muaji nata është dritë dhe ditë për muslimanët”, u tha gjatë ceremonisë.
Muhafizet Nitaj shprehën falënderim të thellë ndaj Institucionit të Bashkësisë Islame për mbështetjen e vazhdueshme në organizime, ceremoni, aktivitete dhe në mbarëvajtjen e mësimit të Akademisë së Kur’anit Hifdh Kids.
Fëmijët u ndanë të kënaqur dhe të lumtur nga kjo ceremoni, ndërsa buzëqeshjet e tyre folën më shumë se çdo fjalë.
“U erdhi ky muaj, i cili ka vlerë më shumë se një mijë muaj; e atij që i ndalohet, i është ndaluar e gjithë mirësia.” (Hadith)
Ramazan të begatë!








