Maqedonia përkrah anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca priti sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Kuvendi i Kosovës, gjatë takimit, i cili u karakterizua nga një frymë konstruktive dhe e pajtimit të plotë mbi interesat reciproke të bashkëpunimit në mes të dyja shteteve, u konstatua se Republika e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk kanë ndonjë çështje kontestuese e që do të mund të bëhej pengesë për ruajtjen dhe thellimin e këtyre raporteve të përbashkëta miqësore.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca shprehu vlerësimin e tij se fati i popujve të rajonit tonë është i përbashkët, prandaj të tilla duhet të jenë edhe qëllimet.

“Në këtë kontekst, integrimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe avancimi drejt BE-së e bën më të sigurt edhe vet Kosovën si aspiruese e këtyre integrimeve”, tha Konjufca, duke vlerësuar po ashtu kontributin e liderëve të Maqedonisë Veriore në arritjen e Marrëveshjes së Prespës e cila u bë një model i mirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërfqinjësore në rajonin tonë dhe një ogur i mirë i rrugës së pashmangshme euro-atlantike për të gjithë.

Ministri Osmani e uroi kryetarin Konjufca për konstituimin e institucioneve të reja në Kosovë, duke besuar se tashmë stabiliteti institucional i Kosovës do të reflektojë edhe në intensifikimin e bashkëpunimit ndërshtetëror. Po ashtu, ministri Osmani e konfirmoi mbështetjen e palëkundur të Maqedonisë Veriore në rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke garantuar se shteti i tij do të vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës edhe në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Më tej, ministri Osmani e informoi kryekuvendarin Konjufca për fillimin e investimeve infrastrukturore që kanë nisur në Maqedoninë Veriore (vazhdimi i autostradës nga Bllaca në Shkup), e të cilat do ta lehtësojnë dhe rrisin volumin e bashkëpunimit ekonomik në mes të dy vendeve.

Në fund, kryekuvendari Konjufca i shprehu ministrit Osmani gatishmërinë dhe nevojën e bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës me Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, duke besuar shumë në dobishmërinë që do ta kishte për Kosovën njohja e përvojës së Maqedonisë Veriore në proceset transformuese legjislative drejt rrugës së integrimit evropian, rrugë nëpër të cilën synon të kalojë edhe Republika e Kosovës.