PARIS (AA) – Asambleja Kombëtare e Francës i ka hequr imunitetin deputetes Marine Le Pen, duke i hapur rrugën ndjekjes penale të udhëheqëses së partisë së Frontit Kombëtar nga ekstremi i djathtë, për shkak të postimit të saj të vitit 2015 në rrjetin social Twitter mbi dhunën e DEASH-it, raporton Anadolu Agency (AA).
Në dhjetor të vitit 2015, Le Pen postoi në “Twitter” tre foto grafike të ekzekutimeve të DEASH-it, duke përfshirë trupin e dekapituar të gazetarit amerikan James Foley, me një tekst të shkruar “Ky është DEASH!”, pas një mosmarrëveshjeje me një gazetar që e kishte krahasuar partinë e saj me grupin terrorist DEASH.
Më vonë, një prokuror francez hapi një hetim dhe kërkoi revokimin e imunitetit parlamentar francez dhe të Bashkimit Evropian (BE) të deputetes Marine Le Pen.
Sipas ligjit francez, ajo mund të përballet me një dënim deri në pesë vjet heqje lirie dhe gjobë prej 75 mijë eurosh, nëse dënohet me akuzën për shpërndarje të imazheve të dhunshme.