Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Marrëdhëniet Turqi-EBA evoluojnë drejt bashkëpunimit

Marrëdhëniet Turqi-EBA evoluojnë drejt bashkëpunimit

Presidenti Rexhep Tajip (Recep Tayyip Erdoğan) ka shkruar një artikull ekskluziv për të përditshmen me seli në Dubai, “Khaleej Times” përpara vizitës që ai do të bëjë të hënën në vendin e Gjirit.

Udhëheqësi turk shpreh kënaqësinë që marrëdhëniet e të dy vendeve po evoluojnë drejt bashkëpunimit.

Presidenti Erdoan tha se vizita që do të realizojë ai të hënën (14 shkurt) në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) do të shërbejë për ta çuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh.

“Unë besoj se nga rritja e bashkëpunimit midis dy vendeve do të përfitojë edhe rajoni ynë”,- shkroi ai.

“Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve po rriten çdo vit dhe ne synojmë që vitin e ardhshëm ta dyfishojmë vëllim tregtar. Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) janë partneri më i madh tregtar i Turqisë midis anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC)”,- thotë Erdoan në artikullin e tij.

“Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) së bashku mund të kontribuojnë në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin rajonal. Përpjekja për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe do të kontribuojë edhe në vendosjen e stabilitetit në nivel global”, vijon shkrimi i Presidentit Erdoan.

“Vizita që do të realizoj në EBA jo vetëm që do të tregojë rëndësinë që i kushtojmë ne miqësisë midis dy vendeve, por gjithashtu do të shërbejë për ta çuar edhe më tej bashkëpunimin tonë. Përveç energjisë, shëndetësisë, bujqësisë, logjistikës, infrastrukturës, financave dhe turizmit, ne synojmë ta avancojmë bashkëpunimin midis Turqisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe edhe në fusha të tjera siç janë: ndryshimet klimatike, uji dhe siguria ushqimore gjithashtu,” shkruan lideri turk. /trt