Çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë duhet të përfshijë garanci sigurie për të parandaluar Moskën që të riarmatoset dhe të nisë një sulm tjetër, deklaroi të mërkurën Kajsa Ollongren, Sekretare e Përgjithshme e Shërbimit Evropian për Veprim të Jashtëm, transmeton Anadolu.
“Çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës duhet të shoqërohet me një mekanizëm sigurie”, tha Ollongren në Forumin e tretë “Schuman” për Sigurinë dhe Mbrojtjen në Bruksel, duke mbajtur një fjalim në emër të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Historia e Rusisë na kujton të gjithëve se nuk mund t’i besojmë vetëm një deklarate politike. Ajo duhet të shoqërohet me një garanci”, theksoi ajo.
Ollongren e mirëpriti intensifikimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se çdo zgjidhje duhet të përfshijë masa mbrojtëse kundër agresionit të mëtejshëm rus.
“Nuk mund të themi se si dhe kur do të arrijnë paqen Ukraina dhe Rusia, por çdo marrëveshje duhet ta pengojë Rusinë të riarmatoset dhe të sulmojë sërish, sepse nuk duam që e njëjta gjë të përsëritet” deklaroi ajo.
Ajo përmendi marrëveshje të mëparshme ndërkombëtare, përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, sipas të cilit Ukraina hoqi dorë nga arsenali i saj bërthamor në këmbim të garancive për sovranitetin dhe integritetin e saj territorial.
Ollongren iu referua gjithashtu Marrëveshjeve të Minskut, duke vënë në dukje se Rusia vazhdoi bombardimet ndaj Ukrainës pak orë pas nënshkrimit të tyre dhe më vonë pushtoi mijëra kilometra katrorë territor përtej vijave të armëpushimit.
Ajo rikonfirmoi mbështetjen e fuqishme të BE-së për Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe për krijimin e një tribunali të posaçëm për të ndjekur penalisht krimin e agresionit kundër Ukrainës.
Gjithashtu, Ollongren bëri thirrje për llogaridhënie lidhur me shkeljet e së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se vendet që shkelin parimet e Kartës së OKB-së duhet të përballen me pasoja.




