Masakra në Zelandën e Re: Kryeministrja Ardern zotohet të mos thotë kurrë emrin e terroristit

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka mbajtur një fjalim emocional në parlamentin e vendit të saj ku është zotuar të mos thotë asnjëherë emrin e terroristit qqë kreu sulmet në dy xhamitë në Christchurch.

“Me aktin e tij terrorist, ai kërkoi shumë gjëra dhe njëra ndër to ishe fama, prandaj nuk do të më dëgjoni që ta përmend emri e tij”, deklaroi ajo.

Ardern ftoi që të përmenden emrat e viktimave dhe jo të terroristit.

“Ju lutem, flisni për emrat e atyre që kanë humbur jetën, në vend të emrit të njeriut që i mori ato jetë, ai është një terrorist, ai është kriminel, është ekstremist, prandaj kur flas për të thjesht do të jetë ‘ai’, pa emër”, vijoi kryeministrja.

Në një seancë të veçnatë të Kuvendit të Zelandës së Re, Ardern përdori edhe përshëndetjen arabe “Al-Salaam Alaikum”, që do të thotë “paqja qoftë mbi ju”.

Po ashtu, kryeministrja u bëri thirrje platformave të rrjeteve sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin.

Nga sulmet e së premtes së kaluar në dy xhami mbetën të vdekur 50 persona dhe dhjetëra të plagosur. 28-vjeçari Brenton Tarrant është akuzuar për vrasje.