Masakrat dhe mizoritë serbe-malazeze ndaj shqiptarëve 1912-1941 sipas burimeve shqiptare

Qerim Lita

Vrasjet masive të popullsisë civile dhe djegiet e vendbanimeve të tëra ishin të shumta. Sali Hoxhë Vuçitërna i shkruante Luigj Gurakuqit për përfundimin e luftës së përgjithshme se Hysni Curri është kthyer dhe se “…Krasniqja, Gashi, Hasi, Bytyçi janë djegë fare. Robni e madhe ash tuj ardhë këtu.”. Për të shpëtuar nga këto mizori dhe barbarizma serbe, numri i madh i popullsisë shqiptare të Dibrës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Ohrit, Prizrenit, Pejës, Gjakovës i braktisën vatrat e tyre për t’u vendosur brenda kufirit shqiptar, kryesisht në Tiranë, Kukës, Tropojë dhe Elbasan.

Qerim LITA, Shkup

Me përfundimin e Luftës së Parë Ballkanike dhe pushtimin e më se 2/3 të tokave shqiptare nga ushtritë e aleancës sllavo-ortodokse, përkatësisht asaj serbo-malaziase-bullgare-greke, në Kosovë dhe në trevat lindore filloi një fushatë e egër dhe e dhunshme ndaj popullsisë së pambrojtur shqiptare. Në ballë të asaj fushate, krahas ushtrisë pushtuese serbo-malaziase, qëndronin edhe Kisha Ortodokse Serbe dhe organizatat e shumta terroriste serbe dhe malaziase. Korrespodenti i luftës i një gazete daneze, i cili nga Shkupi i telegrafonte një korrespodentit tjetër me emrin “Zigt Frederiko Man Bones”, për krimet dhe masakrat e kryera nga ushtria serbe mbi popullsinë shqiptare në rajonin e Shkupit, Kumanovës dhe Prishtinës, ndër të tjera shprehej: “Taktika luftarake e serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakrimi të përgjithshëm shumë të tmerrshëm. Ushtria po plotëson nji luftë shkatrimtare shumë barbare. Simbas kallzimevet të ushtarëve e të oficerëve ndërmjet Kumanovës e Shkupit kanë vra 3000 shqiptarë e në rrethet e Prishtinës 5000 shqiptarë. Katundet shqiptare aneve e rrethit janë djegë krejt. Populli po gjurmohet ndër shtëpit e veta edhe po i vrasin si mijt… Dje tridhjet e gjashtë shqiptarë pa i gjykue u dënuen me vdekje edhe me nji herë u pushkatuen. Nuk ka ditë qi mos të bahen krime shumë mizore kundër shqiptarëvet. Dje më thirri nji oficer serb qi të merrsha pjesë në masakrimin e nji njeriut të tillë; e në këtë kohë më tha si për lëvdatë se ka vra me dorë të vet nandë shqiptarë”.

Komuna e Deçanit, më 5 shkurt 1944, në mënyrë të hollësishme i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, për mizoritë dhe barbarizmat serbe e malazeze në vendbanimet e asaj komune që nga viti 1912 e këndej, ku si bartëse të politikës grabitqare e radhiste Kishën e Deçanit. “Barbarizmat që elementi Sllav, thuhej në raport, ka ba në rrajonin e kësaj Komune gjatë kohës që mizorija ka sundue këtë vend janë të panjohuna e aq të pa-shembullta sa që nuk ka mundësi të përshkruhen. Grabitjet, vrasjet përbinshat sllav ka kenë gjana të zakonshme. Ndër grabitjet në vendin e parë e xen Kisha e Deçanit e cilla ku ka vue synin e pasunisë shqiptarve ka vue edhe dorë në te, kështu që veprimi i sajë ka kenë gjithmonë në dam të Shqiptarëve…Veprat grabitqare të Kishës së Deçanit, vazhdon raporti, e cilla e pa ngopun në grabitje të arave e të livadheve të Shqiptarëve si edhe të zabeleve tyne me të tilla veprime ka vishtersue jetesën e provokue vorfnimi i këtij populli…”. Përveçse për Kishën e Deçanit, raporti bën fjalë edhe për vrasjet dhe mizoritë e shumta të kryera nga ana e komitëve dhe vojvodëve në krye me kapitenin malazezë, i cili për shkak krimeve dhe mizorive të kryera ndaj popullsisë shqiptare kishte marrë emrin “Savo Batarja”. Siç bën të ditur raporti, ky kriminel malazez, gjatë vitit 1912, pa asnjë arsye kishte mbledhë mbi një mijë vetë në fshatin Carabreg, duke i rrahur në mënyrë më brutale. Ndaj kësaj dhune dhe kanosjeje kishin marrë guximin të reagonin: Isa Qorri, Ali Shabani, Hasan Mula, Hysen Teta, Mal Loshi, Zyber Loshi, Elez Hasani, Ibish Halili, Dak Arifi dhe Zek Hyseni, të cilët më pas jo vetëm se janë vrarë, por paraprakisht janë detyruar t’i groponin varret e tyre. Përveç tyre, nga ky fshat janë vrarë edhe Dik Zeka, Sadik Mehmeti dhe Azem Beqiri, si dhe Him Ahmeti dhe Nek Dobruna nga Deçani. Masakra të tilla e të ngjashme, gjatë viteve 1912-1913 u kryen thuajse në tërë hapësirën e pushtuar shqiptare dhe, për pasojë, mbi 150.000 shqiptarë u detyruan t’i braktisnin vatrat e tyre për t’u vendosur në Turqi.

Ndërkohë, pas ultimatumit të marrë nga Fuqitë e Mëdha (gusht 1913), që trupat serbe të tërhiqen brenda kufijve të përcaktuar në Konferencën e Londrës, qeveria serbe, si kundërpërgjigje, shtetasve shqiptarë ua ndaloi shfrytëzimin e tregjeve në Dibër, Prizren dhe Gjakovë. Një vendim i tillë e revoltoi tej mase popullsinë lokale, e cila revoltë së shpejti kaloi në një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit serb. Konti Berchtold, më 24 shtator 1913, përmes një qarkoreje i njoftonte përfaqësitë diplomatike austro-hungareze se kryengritja shqiptare ishte provokuar nga “brutaliteti serb”, ndërsa pjesëmarrja e shqiptarëve ishte vetëm në zonat e pushtuara nga ana e serbëve që ishte në kundërshtim me vendimet e Londrës ose nga popullsia e zonave që “u është ndërprerë furnizimi me ushqime për shkak të pengesave për të shkuar në tregun e Dibrës e të Gjakovës”. Një qëndrim të tillë e pati edhe Komisioni Hetimor i Fondacionit “Karnegi”, i cili në raportin kushtuar kësaj ngjarjeje shkruante se më 20 të shtator 1913 ushtria serbe, duke u tërhequr përmes kufirit në afërsi të Dibrës, e mori gjithë bagëtinë nga malësia e Dibrës, për çka “barinjtë u shtrënguan të mbroheshin”. Më tej, në raport theksohej se ushtria serbe, pasi i vrau të gjithë barinjtë, filloi t’i grabiste dhe digjte “të gjithë fshatrat në rrugën e tyre: Peshkopinë, Pletzën dhe Dohoshishtin në Dibrën e Poshtme dhe Allajbeginë, Maçin, Parën, Obokun, Klloboçishtin dhe Sollokiçin në Dibrën e Sipërme” dhe se në të gjithë këto fshatra serbët “kryenin veprime të tmerrshme masakrimi dhe dhune mbi gratë, fëmijët dhe pleqtë…etj.”.

Menjëherë pas sulmit të befasishëm në Dibër dhe më pas edhe në Strugë, Ohër, Prizren, Gjakovë dhe në qendra vende të tjera, qeveria serbe vendosi ta mobilizojë Divizionin e Moravës, përkatësisht njësitet I, II, III dhe XIV të këmbësorisë. Më 29-30 shtator 1913, filloi kundërofensiva e ushtrisë dhe e çetave çetnike serbe. Në luftimet disaditore, ushtria serbe, e pajisur me armatim bashkëkohor të kohës, arriti t’i thyejë forcat kryengritëse fillimisht në frontin e Strugës, Ohrit e Dibrës, e më pas edhe në atë të Prizrenit e Gjakovës. Forcat ushtarake serbe, pasi i ripushtuan tokat shqiptare, kryen gjenocid të paparë ndonjëherë mbi popullsinë civile shqiptare. Radniçke novine, më 22 tetor 1913, e botoi letrën e një ushtari serb, në të cilën veç tjerash thuhej: “Nuk kam kohë t’ju shkruaj gjatë, por mund t’ju them që këtu po ndodhin gjëra ngjethëse. Unë jam i tmerruar prej tyre dhe vazhdimisht pyes veten time se si njerëzit mund të jenë kaq barbarë, sa të kryejnë mizori të tilla. Është e tmerrshme, unë nuk guxoj t’ju them më shumë, por mund t’ju them se Luma nuk ekziston më. Ka fshatra me njëqind, njëqind e pesëdhjetë, dyqind shtëpi ku nuk ka ma asnjë burrë, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës asnjë. Ne i grumbulluam ata në grupe nga dyzet deri në pesëdhjetë veta dhe pastaj i shpuam me bajoneta tona…”. Lidhur me krimet dhe masakrat që ushtria serbe i kreu në Lumë, Dimitrije Tucoviqi shkruante se një fshat i kësaj krahine brenda dy orësh “është zhdukur” tërësisht me skena “që është vështirë të përshkruhen”. “Të shtënat, thotë Tucoviqi, i rrëzonin gratë që mbanin foshnjën në gjinj; skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël, që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat; trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë; gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra…”.

Vrasje masive të popullsisë civile, djegie të vendbanimeve të tëra ishin të shumta. Sali Hoxhë Vuçitërna i shkruante Luigj Gurakuqit, për përfundimin e luftës së përgjithshme, se Hysni Curri është kthyer dhe se “…Krasniqja, Gashi, Hasi, Bytyçi janë djegë fare. Robni e madhe ash tuj ardhë këtu.”. Për të shpëtuar nga këto mizori dhe barbarizma serbe, numri i madh i popullsisë shqiptare të Dibrës, Gostivarit, Kërçovës, Strugës, Ohrit, Prizrenit, Pejës, Gjakovës i braktisën vatrat e tyre, për t’u vendosur brenda kufirit shqiptar, kryesisht në Tiranë, Kukës, Tropojë dhe Elbasan. Shkrimtari dhe kulturologu shqiptar nga Dibra, Haki Stërmilli, në veprën e tij “Dibra në prag të historisë”, shkruan se përderisa “burrat e Dibrës po luftojshin egërsishëm mbi majat e Kërçishtit, të Korrabit dhe të Jabllanicës, familjet e Dibranëve – të qytetit e të katundeve, – ishin vu n’ikje drejt Tiranës e Elbasanit…”. Sipas tij, numri i të shpërngulurve nga mbarë qarku i Dibrës dhe i viseve të tjera shqiptare shkonte mbi “100.000 frymë, gra, burra e çiliminj”, të cilët ishin nisur drejt “Perëndimit për mos me ranë në durë t’anmikut”.

Gazeta “Përlindja e Shqipëniës”, më 15 tetor 1913, e botoi Thirrjen e parisë së Dibrës, drejtuar Fuqive të Mëdha, përmbajtja e së cilës ishte si më poshtë:

Na Dibranët, të vënë nën zgjedhën e Sërbëve që për dhjetë muaj, duruam me bindësi ç’do mënyrë shtypje, por ndjekjat e fundit na forcuan në kaq dëshpërim sa ta pëlqejmë vdekjen nga robëria. Mijëra të pafajshim të ikur nër male dhe shkëmbinj, janë në rezik vdekje prej të ftohti dhe urie. Gjendja e jonë e tanishme âsht e padurume dhe e paskëtajmëja jonë e errët dhe e panjohur. Vetëm drejtësia e Fuqive të mëdha dhe mëshira e popujve të qytetëruëm mundin të n’a shpëtojnë. Të sigurt që lutjat t’ona do dëgjohen për së shpejti, kërkojmë drejtësijën e kabineteve të Fuqive të mëdha dhe ndërgjegjen e popullit t’Evropës, i cili âsht i vetëm që mund të n’a apë të drejtën të rnojmë të lirë n’atdhen t’onë të njëshëm”.

Dokumentet e kohës, që ruhen në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, hedhin dritë mbi mizoritë, barbarizmat dhe masakrat e kryera nga ana e ushtrisë pushtuese serbe ndaj popullsisë civile shqiptare të fshatrave të Prizrenit, Gostivarit, Tetovës, Kërçovës, Gjilanit, Pejës, Deçanit, Gjilanit, Ferizajt, Prishtinës etj. Kryetari i komunës së Lubizhdës, më 10 janar 1944, i raportonte Ministrisë së Punëve të Brendshme për një masakër që ushtria serbe e kishte kryer në vitin 1913 në fshatin Kabash, ku ishin masakruar 72 burra të këtij fshati. Të gjithë ata janë marrë nga ushtria serbe dhe janë therë me sëpatë te kisha e fshatit. Po atë ditë komandanti i vullnetarëve serbë, Spiro Delloci nga fshati Delloc i komunës së Mushtishtit, e dogji për së gjalli bashkëshorten e Ali Hajdarit, si dhe Haken e Muharrem Rexhepit, që të dyja nga fshati Kabash. Në të njëjtën kohë, krimineli Spiro Delloci i masakroi 8 shqiptarë nga fshati Korishë, ndërsa nga ana e ushtrisë serbe u morën Pren dhe Zef Çeta dhe u masakruan, i pari te kisha e Kabashit, ndërsa i dyti në afërsi të Prizrenit.

Masakra të tilla ushtria serbe kreu edhe në fshatrat e Gostivarit, si në Simnicë, Gjenovicë, Reçan, Vërtok, Raven, Zdunje, Mirditë, Vrapçisht, Kalisht, Çegran, Qafë, Llakavicë dhe Duf. Në të gjitha këto vendbanime, siç theksohet në një dokument shqiptar, ushtria pushtuese serbe, në bashkëveprim me komitët dhe çetnikët vendorë serbë e bullgarë, në pjesën e dytë të muajit tetor 1913, vrau, theri me thikë ose me sëpatë disa qindra shqiptarë civilë, në mesin e tyre edhe gra, pleq e fëmijë. “…Ka qenë muaji i Tetorit të vitit 1913, thuhet në dokument, kur prej katundeve Simnicë, Zdunjë, Raven, Vërtok Reçan etj., sillnin burrat shqiptar dhe i thernin pa pikë mëshire duke i hedhun në nji gropë qi ndodhet në t’hymen e katundit, duke ardhur prej Gostivari. Të gjithë burrat janë ther me thikë dhe me spata duke i pasun duart e lidhura…”. Ndër vendbanimet që pësuan më së keqi duhet veçuar Simnicën, ku – siç theksohet në dokument – ushtria serbe, pasi e dogji tërë fshatin, mori 48 burra e dy gra dhe i dërgoi “…në vëndin e quajtun Vakuf të Banicës dhe këtu i therën të gjithë me thikë bashkë me Shqiptarët e tjerë t’ardhun prej katundeve të ndryshme dhe i hodhën në një gropë e cila gjendet edhe sot në vendin e lart-përmendun…”.

Kryetari i Komunës së Sanakosit, Mehmet Bushi, më 21 gusht 1944, ia dërgoi Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë listën prej 153 personave të fshatrave të asaj komune të vrarë nga ushtria serbe gjatë vitit 1915, si: Gradec, Pirok, Negotinë, Gjergjevishtë, Sanekos, Llomnicë dhe Gorjan. Ndërkohë, në raportin e kryetarit të Komunës së Zhelinës, Abdurahman Reka, thuhet se në fshatin Debërcë të Dervenit të Epërm, në nëntor të vitit 1915: “87 burra të gjithë në moshë madhore, janë kap prej ushtris dhe Gjindarmëris Serbo-malazeze, e masi janë lidhë i kanë çue në vendin e quejtun ‘Klisura’ (rruga e përgjithshme Shkup-Tetovë) dhe i kanë vra…Kjo vrasje, vazhdon raporti, omadike asht bamun pa as ma të voglën arsye, por vetëm e vetëm për me torturue e kallë tmerin popullit Shqiptar, që të detyroheshin me lanë fushat pjellore, në duar të kolonizatorëvet Serb e Malazez…”.

Gjatë viteve 1912-1914, ushtria dhe komitët serbë kryen masakra të shumta në fshatrat e rrethit të Gjilanit, Vitisë, Kamenicës dhe të Ferizajt, si në Kabash, Komogllavë, Smirë, Gjylekar, Germovë, Drobesh, Beguncë, Vërban, Kërbliç, Dobërçan, Tërnoc, Gushicë, Gumnishtë, Gadish, Maroc, Dragofcë, Berivojcë, Koretin, Mekresh, Kostadicë, Mogillë, Tërstenë e shumë fshatra të tjerë, që sipas burimeve shqiptare janë vrarë me pushkë ose therur me thikë. Kështu kanë përfunduar disa qindra civilë shqiptarë, mes tyre edhe gra e fëmijë. Ndërkohë, gjatë Luftës së Parë Botërore, në këtë pjesë shqiptare, u kryen krime dhe masakra edhe nga ushtria pushtuese bullgare dhe çetat komite vendore bullgare.

Mizorive dhe barbarizmave serbe dhe atyre bullgare nuk i shpëtoi as popullsia shqiptare e Kërçovës. Në pranverën e vitit 1913 disa grupe komitësh dhe çetnikësh serbë e bullgarë, të udhëhequr nga Mihalj Brodi dhe Stanku Dimitru, pasi e rrethuan qytetin, i morën të gjithë burrat shqiptarë dhe i dërguan në tre vende të caktuara si thertore (dajakhane), në “Çiflik”, që gjendej në afërsi të shkollës bullgare “Biçincë- Jurije”, si dhe në shkollën fillore në qendër të qytetit. Shumë nga ata janë vrarë me pushkë, një pjesë tjetër janë therur me thikë, ndërsa ka edhe nga ata që kanë vdekur nga të rrahurit me dru. Kryetari i Bashkisë së Kërçovës, në raportin e datës 20 korrik 1942, dërguar Nënprefekturës së Kërçovës, veç tjerash shkruante se tërë kjo situatë kishte zgjatur rreth dy muaj, gjatë së cilës: “…Shqiptarët ma të mirë janë therun, disa me pushkë janë vramun e ma shumë me dru janë rahun prej të cillavet shumica mbas disa kohrash kanë vdekur….,çetnikët-komitët i ngarkojshin me araba dhe i gropojshin rreth qytetit me disa gropa qi ishin pregatitun apostafat për këtë qëllim dhe këta gropa ende sot janë ku pushojnë kockat e këtyre Shqiptarve…Kjo ka qenë nji jav e zez për të mjerët Shqiptarë sepse thereshin si kundra kasapët kur therin qingjet në thertore”.

Në pamundësi për t’i përfshi të gjitha mizoritë dhe barbarizmat serbe në një punim të vetëm, në vazhdim si material shtojcë zgjodha listën prej 153 personave të vrarë nga serbët gjatë viteve 1912-1913, hartuar nga kryetari i Komunës së Sanakosit, Mehmet Bushi; tre raporte dërguar Prefekturës së Prizrenit; raportet e komunave: Lubizhdë, Banjë dhe Zhur, të cilët gjithashtu bëjnë fjalë mbi vrasjet dhe mizoritë serbe në vendbanimet e atyre komunave

* * *

Dok. 1.

 Lista prej 153 personave të vrarë nga ushtria dhe komitët serb gjatë vitit 1915 në fshatrat: Gradec, Pirok, Negotinë, Gjergjevishtë, Sanokos, Llomnicë dhe Gorjan, hartuar më 21 gusht 1944 nga kryetari i Komunës së Sanokosit, Mehmet Bushi

 “Lista që përmban emënat e të vramëve prej Serbvet të rajonit Komunes Senakosit.-

  1. Ramadan Dauti, Gradec; 2. Ejup Hasani Gradec; 3. Zenun Durmishi Gradec; 4. Ismail Izairi, Gradec; 5. Abdurahim Ahmeti, Gradec; 6. Hisë Abdullai, Gradec; 7. Jonuz Tahiri, Gradec; 8. Beqir Tahiri, Gradec; 9. Nuredin Iljazi, Gradec; 10. Sali Iljazi, Gradec; 11. Bilall Salija, Gradec; 12. Sahit Elmazi, Gradec; 13. Esat Alija, Gradec; 14. Jahja Shabani, Gradec; 15. Feta Rexhepi, Gradec; 16. Musli Shabani, Gradec; 17. Jamin Musa, Gradec; 18. Shuaip Jahja, Gradec; 19. Ramadan Ejupi, Gradec; 20. Hasip Iljazi, Gradec; 21. Ibrahim Ahmeti, Gradec; 22. Havzi Ademi, Gradec; 23. Zylbehar Ademi, Gradec; 24. Zeqir Ademi, Gradec; 25. Ramadan Tahiri, Gradec; 26. Hajdar Ramadani, Gradec; 27. Tahir Ramadani, Gradec; 28. Shuaip Tahiri, Gradec; 29. Ibrahim Tahiri, Gradec; 30. Iljaz Tahiri, Gradec; 31. Hashim Iljazi, Gradec; 32. Jusuf Iljazi, Gradec; 33. Rexhep Bajrami, Gradec; 34. Sali Hyseini, Gradec; 35. Zeqir Nimani, Gradec; 36. Mahmut Sulejmani, Gradec; 37. Mehmet Selmani, Gradec; 38. Ahmet Ismaili, Gradec; 39. Rufat Ahmeti, Gradec; 40. Hasan Ahmeti, Gradec; 41. Berzat Abazi, Gradec; 42. Abaz Bajrami, Gradec; 43. Ibrahim Nuredini, Gradec; 44. Rushit Abdija, Gradec; 45. Abdulla Abdija, Gradec; 46. Iljaz Abdija, Gradec; 47. Izet Abdija, Gradec; 48. Adem Nuredini, Gradec; 49. Asllan Xhemaili, Gradec; 50. Mustafa Iseni, Gradec; 51. Zejnel Shaqiri, Gradec; 52. Hazir Zejneli, Gradec; 53. Hamit Bajrami, Gradec; 54. Isman Bajrami, Gradec; 55. Ismail Abazi, Gradec; 56. Zylfi Ibrahimi, Gradec; 57. Hakik Ibrahimi, Gradec; 58. Rufat Ramadani, Gradec; 59. Sali Bilali, Gradec; 60. Selim Salija, Gradec; 61. Sali Osmani, Gradec; 62. Dalip Jahja, Gradec; 63. Xhabir Jahja, Gradec; 64. Ali Hasani, Gradec; 65. Izet Rushani, Gradec; 66. Rakip Jusufi, Gradec; 67. Ibrahim Hajredini, Gradec; 68. Vesel Ahmeti, Gradec; 69. Kurtish Alija, Gradec; 70. Rexhep Dauti, Gradec; 71. Shaban Rexhepi, Gradec; 72. Osman Rexhepi, Gradec; 73. Ramadan Beqiri, Gradec; 74. Imer Beqiri, Gradec; 75. Xhemail Hasani, Gradec; 76. Imer Idrizi, Gradec; 77. Selim Ahmeti, Gradec; 78. Izair Ahmeti, Gradec; 79. Xhemil Halili, Gradec; 80. Fetah Hamiti, Gradec; 81. Idriz Qazimi, Gradec; 82. Sherif Ibrahimi, Gradec; 83. Rufat Osmani, Gradec; 84. Zylfi Rexhepi, Gradec; 85. Aziz Hasani, Gradec; 86. Mustafa Imeri, Gradec; 87. Halim Beqiri, Gradec; 88. Xheladin Lutfiu, Gradec; 89. Zeqirja Xheladini, Gradec; 90. Riza Selimi, Gradec; 91. Halit Sahiti, Gradec; 92. Tahir Ahmeti, Gradec; 93. Ramadan Sahiti, Gradec; 94. Idriz Rushiti, Gradec; 95. Qazim Sahiti, Gradec; 96. Beqir Beluli, Gradec; 97. Ali Beqiri, Gradec; 98. Sali Sulejmani, Gradec; 99. Mehmet Shabani, Gradec; 100. Ajet Shabani, Gradec; 101. Veli Adili, Gradec; 102. Bajram Velija, Gradec; 103. Kamber Jakupi, Gradec; 104. Shuaip Kamberi, Gradec; 105. Sulejman Mahmuti, Gradec; 106. Qamil Mahmuti, Gradec; 107. Ibrahim Salija, Gradec; 108. Sulejman Dauti, Pirok; 109. Sabri Hajdari, Pirok; 110. Ibrahim Sulejmani, Pirok; 111. Tahir Murati, Pirok; 112. Daut Nuredini, Pirok; 113. Asllan Ademi, Negotinë; 114. Ebip Osmani, Negotinë; 115. Rahim Ebibi, Negotinë; 116. Abdullah Ramadani, Negotinë; 117. Arif Imeri, Gjurgjovishtë; 118. Imer Zeneli, Gjurgjovishtë; 119. Xhemali Zeqiri, Senokos; 120. Kadri Emrullahi, Senokos; 121. Ali Osmani, Senokos; 122. Sali Dauti, Senokos; 123. Hazir Bilali, Senokos; 124. Ibrahim Ferati, Senokos; 125. Naim Ferati, Senokos; 126. Izair Ibrahimi, Senokos; 127. Idriz Mustafa, Senokos; 128. Xhelil Tafili, Senokos; 129. Ali Osmani, Senokos; 130. Jonuz Zeqiri, Senokos; 131. Sherka Kadrija, Senokos; 132. Isnishahe Zeqiri, Senokos; 133. Zejnep Ibrahimi, Senokos; 134. Nazime Jahja, Senokos; 135. Rakip Skënderi, Llomnicë; 136. Mehmet Skënderi, Llomicë; 137. Sulejman Xhaferi, Llomnicë; 138. Shaqir Bexheti, Llomnicë; 139. Bajram Etemi, Llomnicë; 140. Zylfi Bexheti, Llomnicë; 141. Bejtulla Jusufi, Llomnicë; 142. Bajram Ramadani, Llomnicë; 143. Izair Sulejmani, Llomnicë; 144. Ismail Haxhija, Llomnicë; 145. Muharem Salija, Llomnicë; 146. Mehmet Zeqiri, Llomnicë; 147. Bajram Nuhija, Gorjan; 148. Qamil Bajrami, Gorjan; 149. Asllan Durmishi, Gorjan; 150. Zyber Sinani, Gorjan; 151. Hamit Hasani, Gorjan; 152. Zeqir Hamzaji, Gorjan; 153. Behadin Mustafa, Gorjan.

 

Senokos më 2.VIII.1944                                VËRTETOHET

                                                         Kryetar’ i Komunës;

                                                            Mehmet Bushi”    

 

Dok. Nr. 2

Raport i kryetarit të Komunës së Lubizhdit, dërguar Prefekturës së Prizrenit, mbi barbarizmat serbe në vendbanimet e asaj komune në vitin 1913

 

“Shteti Shqiptar                                           Lubizhdë, me 10-I-1944

Komuna e Lubizhdës

Nr. 324 Prot.

Prefekturës

Prizren

Përgjegje urdhnit Nr. 1063. Datë 17-VII-1944.-

Kemi nderin me ju paraqit mbi sa kërkohet me urdhnin e sipër si ma poshtë vijon:

  1. Në vjetin 1913 janë pre me spatë prej ushtris jugosllave të bashkuem me serbët e vendit personat qi posht shënohen.

Mulla Adem Hoxha, Isuf Hoxha, Xhem Hoxha, Beqir Hoxha, Abdullah Dema, Shaban Dema, Ahmet Rahmani, Shaban Mehmeti, Bafti Hajdari, Mustaf Hajdari, Isuf Hajdari, Miftar Hajdari, Tahir Dervishi, Zyber Haxha, Vejsel Haxha, Rexh Iljazi, Fetah Muça, Fazli Fetahi me të birin, Hysen Rama, Smajl Rama, Jashar Arifi, Ali Hasani, Hasan Alija, Isuf Etemi, Adem Haliti, Qerim Rama, Selim Rama, Ram Jemini, Abaz Iliazi, Syl Abazi, Arif Shabani, Hajrullah Arifi, Abdullah Arifi, Shaban Arifi, Rexhep Uka, Bislim Bajrami, Liman Murtezi, Tahir Mala, Salih Ademi, Bajram Hajdari, Ali Hajdari, Shaban Zenuni, Hajra Shabani, Haxhi Jemini, Sinan Haxhija, Sejdi Haxhija, Musli Haxhija, Syl Jakupi, Rexh Jakupi, Rahman Halili, Adem Halili, Sherif Rahmani, Rexh Rahmani, Hazir Ademi, Imer Bajrami, Dem Alija, Imer Maliqi, Halit Imeri, Sadri Ademi, Kadri Ademi, Bajram Syla, Hysen Beqiri, Mullah Hyseni, Destan Beqiri, Azem Rexhepi, Selim Rexhepi, Hajdin Rexhepi, Ahmet Mehmeti, ky asht vjerrë në der të kishës, Bajram Abdyli, Rexh Arifi, Ali Uka, tëgjithë nga katundi Kabash,personat e nalt përmendun janëpremë në kishën e Kabashit me sakica prej ushtris Jugosllave të bashkuem me serbët e vendit si komandant i vullnetarëve serb, Spiro Delloci nga katundi Delloc, Komunës së Mushtishtit, po atë ditë i kanë djegë në zjarm Kaden e shoqja e Ali Hajdarit si dhe Haken e Muharrem Rexhepit të dyja nga katundi Kabash?

  1. Në vjetin 1913 në katundin Korishë prej serbve të vendit tuj pasë si komandant Spiro Dellocin janë marrë edhe janë vra në nji prue të quajtunit: Sherif Haxhija, Zeqir Asllani, Berat Abdyli, Sahit Abazi, Abaz Sahiti, Jashar Haziri, Brahim rexhepi e Imer Muhaxheri.
  2. Në vjetin 1913 në katundin Lutogllavë janë marrë të quajtunit: Pren Çeta e Zef Çeta prej ushtris jugosllave. Zef Qetën e kanë pre me spatë te kishae Kabashit e të vllajin e tij Prenin e kan pushktue afër Prizrenit…”

 

Dok. Nr. 3

Raport i zv. kryetarit të Komunës së Banjës, Rexhep Banja, dërguar Prefekturës së Prizrenit, mbi barbariznat serbe në vendbanimet e asaj komune në harkun kohor 1912-1914

“Këtu poshtë ju përshkruejmë, pak mbi masakrimet Serbo-Malazeze ndaj Shqiptarëvet.

Ishte vjeti 1912 kur ushtrit e rregullta Serbe drejtoheshin kah tokat shqiptare të cilat nga nji pakicë aty këtu e vogël çetash malsore gatoheshin për t’u mbrojtë me gjakë. Nji pakicë burra largoheshin me familje në drejtime të paditun, për të ruejtë nga pusija barbare gratë e fëmijtë, e të tjerët mbetën në vend. Kish fillue lufta. Çetat shqiptare qëndrojshin si vigana ndër pritat që kishin zanë, por fuqit armike vijshin përherë tuj u-shtue, mësa burat e (a)tyne (çetave) të cillve ishin kah u mbaronte municjoni, u-shtrënguen që nga të lëshojnë atë tokë të shtrenjtë.

Nuk mjaftonte shkelja Serbo-Malazeze në tokën Shqiptare, por edhe tmerr u kish andja të shtijshin nëpër katunde e vaj e zi nëpër familje. Shtëpijat e djeguna me sa pasunina kishin asht e kot me e diftue mbassi s’do të mbarojshin kurr, por po shënojmë dëshmërët e rrajonit të Komunës së Banjës, të cillët na lanë me betim nji fjalë ta mbajmë e asht: MIKUT FALI ZEMRËN, ANMIKUT SHEKULLUER PLUMIN.

Dëshmorët janë këto:

BANJA: vj. 1912.

Liman Sahiti, Hajrullah Rexhepi, Hasan Isufi, Asllan Islami, Bislim Shabani, Beqir Shabani, Hasan Hajdari, Haxhi Behrani, Ali Mehmeti, Sadik Alija, Hysejn Hamza, Musli Hamza, Jashar Hasani, Xhylije Jashari, Shaqir Ibrahimi, Beqir Ibrahimi, Hajredin Demiri, Hamza Haliti, Sejdi Rrustemi, Islam Rrustemi, Zizë…, Fejzullah Beqiri, Zenel Muslija: të plagosun gjatë luftimesh janë këtë: Isuf Mehmeti, Rexhep Jashari dhe Elez Xhemajli.

SENIK: vj. 1912.

Beqir Rexhepi, Adem Sahiti, Ymer Alija.

BELLANICË: vj. 1912.

Beqir Abdullahu, Qelebi Abdullahu, Shaqir Abdullahu, Islam Shasivari, Halit Mustafa, Asllan Sahiti, Riza Mehmeti, Selman Baftjari, Sali Fejza, Sadri Zeqa, Halit Rexha, Osman Murseli, Selman Sula, Zulfa Mustafa, Shaban Alija, Ibrahim Velija, Feta Ademi, Hysejnë Shama, Riza Veseli, Hasan Azemi, Asllan Shasivari, Dem Zenuni, Shaqir Aredullau, Bahta Aredullau, Halil Mustafa, Xhemail Hajrullahu, Emin Xhema, Asllan Sahiti, Hysejnë Destani, Sejdi Feka, Xhemail Ibrahimi, Hamdi Iljazi, Latif Bajrami. Janë të plagosun dhe këtë: Beqir Salihi, Ymer Hasani, Hoxha Lladrofci, Xheladin Jetullahu, Behlul Bala, Sali i Xhemës.

LLODROVIÇ 1912.

Ibrahim Sinani? Shaban Sinani, Shaqir Sadrija, Jetullah Saliu, Nuredin Shabani, Xheladin Emini, Feriz Meta, Rexhep Sela, Abaz Ahmeti, Mersel Zema, Musli Jakupi.

BANJA: 1914.

Ali Tahiri, Rahmon Hajdini, Hamzë Hajdini, Islam Rexhepi, Liman Hajdini, Mehmet Maliqi, Bajram Beqiri, Bajram Sulejmani, Ahmet Rahmoni, Emin Ibrahimi, Qerim Zeneli, Halim Mustafa, Hysejn Murseli, Elaz Hasani, Shaqir Limani, Sefer Limani, Demush Limani, Bahti Shali Ferizi, Pajazit Rexhepi, Hasan Haliti, Osman Zeqiri.

Gucat 1912 vj.

Sali Uka, Lah Hoxha, Qekin Syla.

  1. Zav. Kryetar’ I Komunës

(Rexhep Banja)

(firma nuk këndohet)

Vërtetohet

Prizren, me 3-XI-1944                        Kryesekretari Prefekturës

Niko Lafe”

Dok. Nr.4

Raport i Komunës së Zhurit, dërguar Prefekturës së Prizrenit, mbi barbariznat serbe në vendbanimet e asaj komune nga viti 1912 e këndej

“Përshkrim i Barbarizmave Sllave gjatë qëndrimit tyrej në Rajonin e Komunës Zhurit, mbas

vitit 1912

Në Tetuer, të V. 1912 fuqit Serbe kan mësyem Kosovën e dal në Kukës e Bicaj ku aty janë takue me çetat shqiptare të komanduem prej Islam Spahisë me shokë, mbas nji luftimi të rrepët Serbit janë thye keqas tue lanë shumë të vramë, jan tërhek e kanë zan pozicion të ri në katundin Zhur të ktij rajoni, ku po sa kan mbrrijt e këtu të informuem se një sasi e madhe banorësh të ktij rajoni kishin kenë në ndihmë të çetavet shqiptare, i kanë mbledhun po thuaj të gjithë meshkujt qi s’kan mund të ikin malevet dhe i kan prer (1 shif).

Në vjetin 1914, Nasuf Hoxha nga Zhuri (2) tue kenë i larguem nga banesasi anti serb; mbledhë nji fuqi shqiptarësh dhe bashkohet me çetat e Hasan Vuçitërnit (Prishtinës) ku mësyejn Zhurin dhe luftojnë gati dyditë, rreptësisht, ku për shkak se anmiku ishte i madhë në numër e mjete lufte përfundon në favor të serbëvet, dhe sjell si pasoj që katundet Zhur, Vërmicë, Shkozë e Dobrusht të këtij rajoni të shpërngulen familjarisht brenda nji dite, tue lanë mbas natyrisht mallin e pasunin etyrej. Të emigruem-banorët në fjalë kan shkue e gjetun strehë në Bicaj e vise tjera të Lumës për tre muej rreshtë, deri sa Qeverija serbe akordoji nji falje, dhe janë kthye ristaz në banimet e tyrej (5 Maj 1914). Në atë natë qi kanë mbrrijt ndër banesa asht marrë ngashtëpija e tijë, nji farAsllan Rexhepi nga katundi Zhurë i cili kishte nji far randësije në atë katundë, me pretekst se do të jept disa shpjegime para Komandantit Serb; kurse realiteti nuk u diktue; mbasi Asllani nuk ukthye ma në shtëpi dhe as u dijt mbi fatin e tijë se shka u ba.

1) Të vramët janë: 1) Shaban Halili, 2) Ramadan Shabani, 3) Fetah Beqiri, 4) Kasem Beqiri, 5) Xhelil Dauti, 6) Bajram Tahiri, 7) Ramadan Shaqiri, 8) Nuredin Shabani, 9) Xhelil Dauti, 10) Sadri Ismahili, 11) Sulejman Asllani, 12) Fazli Murati, 13) Qazim Elezi, 14) Latif Murseli, 15) Mehmet Kamberi, 16) Bajram Avdija, 17) Sinan Murati, 18) Selman Syla, 19) Ali Zenuni, të gjithë nga katundi Zhur, 20) Hysen Tahiri, 21) Maliq Tahiri, 22) Halim Tahiri, 23) Halil Tafa, 24) Nuredin Arifi, 25) Adem Fetahi, 26) Dalip Bislimi, 27) Xhem Bislimi, 28) Ram Maksuti, 29) Zulfi Maksuti, 30) Asllan Zeqiri, 31) Shazivar Shaqiri, 32) Zeqir Ibishi, 33) Mahmut Ibishi, 34) Bajram Ibishi, 35) Smalj Bajrami, 36) Uk Murati, 37) Halil Murati, 38) Hajdar Ibishi, 39) Hod Dauti, 40) Iljaz Mahmuti, 41) Imer Rushiti, 42) Xhafer Rushiti, 43) Sahid Dervishi, 44) Brahim Dervishi, 45) Selman Ibrahimi, 46) Myrte Dervishi, 47) Mustaf Dervishi, 48) Delul Myrta, nga katundi Dobrusht; 49) Sinan Rustemi, 50) Veli Sinani, 51) Isuf Alija, 52) Hasan Ademi, 53) Myrteza Hasani, 54) Belul Zeneli, 55) Avdullah Sulejmani, 56) Ragip Sulejmani, 57) Baftjar Mehmeti, 58) Sahit Asllani, 59) Imer Sinani, 60) Bilall Imeri, 61) Taf Limani, 62) Sadik Durmishi, 63) Dalip Imeri, 64) Bajram Shabani, 65) Muharem Jemini, 66) Tafil Jashari, nga katundi Vërmicë; 67) Bajram Pajaziti, 68) Zenel Bajrami, 69) Mustaf Kurtishi, 70) Ram Alija, 71, Dan Alija, 72) Zyber Alija, 73) Ramadan Jonuzi, 74) Ajvaz Rama, 75) Xhafer Jonuzi, 76) Sefi Jashari, 77) Halil Sefa, 78) Islam Jashari, 79) Shani Miftari, 80) Avdul Miftari, 81) Tahir Hamiti, 82) Selman Osmani, 83) Muharem Alija, 84) Demir Myrtezaji, 85) Mustaf Myrtazaji, 86) Raman Ahmeti, 87) Osman Fetahi, 88) Ahmet Fetahi, 89) Selman Kurtishi, 90) Isuf Xhelili, 91) Dul Isufi, 92) Mazllum Kurtishi, 93) Dervish Ahmeti, 94) Nuredin Ahmeti, 95) Sinan Serjani, 96) Qibrit Salihi, 97) Mehmet Tamili, 98) Sinan Tamili, 99) Kasem Tamili, 100) Ramadan Idrizi, 101) Zyra Shatifi, të gjithë nga katundi Billushë; 102) Halil Salihi me nanë, 103) Emërlla Zenuni, 104) Xhimshit Selimi, 105) Halit Ramadani, nga katundi Hoçë….(mungon faqja e dytë)” /revistashenja