Max Verstappen testoi Ford Mustang GTD në pistë në Francë

Në kanalin zyrtar në YouTube të Ford Performance është publikuar një video ku katër herë kampioni botëror i Formula 1, Max Verstappen, drejton makinën brutale Ford Mustang GTD.

Bëhet fjalë për një video vërtet mbresëlënëse, ku Verstappen shoqërohej nga ish-prezantuesi i emisionit të njohur të automobilizmit “Top Gear”, Chris Harris.

Gjatë vozitjes në një Ford RS200 për rrugë, ata biseduan për tema të ndryshme: karrierën dhe planet e pilotit fenomenal holandez, rregullat e reja që po vijnë në Formula 1, historinë e pasur të Ford në motorsport, rikthimin e kompanisë në Formula 1 në partneritet me Red Bull Racing, e të tjera.

Më pas erdhi momenti që Max të testonte Mustang GTD, makinën amerikane më të shpejtë ndonjëherë në pistën Nürburgring.

Kjo veturë arriti një kohë prej 6 minuta e 52.072 sekonda në “Ferrin e gjelbër”, mjaftueshëm për vendin e katërt në listën e makinave sportive prodhimi (pa përfshirë hiper-makinat).

Siç dihet, Mustang GTD ka një motor V8 5.2-litërsh, që zhvillon 826 kuaj/fuqi dhe 900 Nm çift rrotullues, i çiftuar me një transmision me 8 shpejtësi.

Ajo përshpejton nga 0 në 100 km/h për 3.3 sekonda, dhe arrin shpejtësinë maksimale prej 325 km/h. Për frenimin kujdesen frenat qeramike të karbonit.

“Është i mrekullueshëm, argëtues dhe shumë i shkathët,” tha ndër të tjera Verstappen.