Mazda emëron drejtorin e ri ekzekutiv

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Mazda, Akira Marumoto, do të largohet gjatë qershorit nëse aksionarët miratojnë pasardhësin e tij. Prodhuesi japonez i veturave, të premten njoftoi se Masahiro Moro do të jetë i emëruari në këtë pozicion.

Aksionarët do të duhet të miratojnë strukturën e sapo propozuar të menaxhimit përpara se Moro të marrë rolin e tij të ri. Ai aktualisht shërben si drejtor dhe zyrtarë i lartë ekzekutiv i prodhuesit të veturave.

Moro ka qenë në Mazda për 40 vjet, duke udhëhequr së fundmi operacionet në Amerikën e Veriut. Marumoto u bë drejtor ekzekutiv në vitin 2018 dhe do të bëhet një këshilltar i lartë kur të largohet, raporton Motor1, transmeton Telegrafi.

Sipas Nikkei Asia, Moro është drejtori i parë ekzekutiv në vitet e fundit që nuk ka një përvojë në inxhinieri apo prodhim. Megjithatë, ai rindërtoi me sukses operacionet e Mazda në SHBA, një treg që kompania dëshiron të rritet. Ajo do të fokusohet në përmirësimin e rrjetit të saj të tregtarëve për të rritur numrin e shitjeve për çdo pikë në vend, që përbën rreth 30 për qind të shitjeve të saj globale.

Moro gjithashtu do të udhëheqë kompaninë ndërsa ajo kalon në ndërtimin e veturave elektrike me bateri. Tani për tani, kompania është ende në fazën 1 të Planit të saj Afatmesëm të Menaxhimit, i cili sheh që prodhuesi i veturave të përdorë motorë me djegie të brendshme, hibride, plug-in dhe bateri elektrike në veturat e saj.

Kompania do të kalojë në fazën 2 në 2025, duke prezantuar një sistem të ri hibrid krahas veturave të reja elektrike me bateri.

Kompania përballet me një të ardhme të panjohur si të tjerët në industri, por statusi i lojtarit të vogël të Mazda-s e bën atë veçanërisht të pambrojtur. Ndryshe nga prodhuesit e tjerë të veturave, ajo nuk është zotuar të jetë tërësisht elektrike deri në fund të dekadës. Ky nuk është një tranzicion i lirë për kompanitë e veturave.