Mbahet mbledhja e 71-të e Qeverisë, këto janë të gjitha vendimet që u morën

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese/elektronike, e 71-ta me radhë, në të cilën ka miratuar një vendim dhe një Koncept Dokument nga fusha e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Me propozimin e Ministrisë së Infrastrukturës, në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për t’i dhënë në shfrytëzim Komunës së Prishtinës, sipërfaqen prej 15970.51 metra katror në pronësi të Ndërmarrjes Publike Qendrore Infrastruktura e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos). Kjo pronë do të përdoret për realizimin e projekteve me interes publik.

Për këtë është dhënë edhe pëlqimi nga ana e InfraKos-it.

Qeveria e Kosovës, sot po ashtu ka miratuar Koncept Dokumentin për Kontrollin e Ndihmës Shtetërore, i cili synon të arrijë ndryshimin e politikave ekzistuese në përafrimin e legjislacionit të ndihmës shtetërore të Kosovës me Acquis të Ndihmës Shtetërore të BE-së në kontekstin e zotimeve për krijimin e një sistemi rregullator të ndihmës shtetërore të krahasueshëm me atë të BE-së sipas kushteve të Marrëveshjes së Stabilizi Asociimit.

Koncept dokumenti rekomandon rishikimin e Ligjit për Ndihmën Shtetërore dhe të legjislacionit sekondar për zbatimin e këtij Ligji.

Kjo do të përmirësonte bazën për punën e institucioneve të ndihmës shtetërore në Kosovë; avanconte sigurinë ligjore në procesin rregullator të ndihmës shtetërore dhe avancim me angazhimet për integrimin në BE. Këto ndryshime janë thelbësore në mënyrë që të sigurohet që ndihma shtetërore e dhënë nga autoritetet e Kosovës është në përputhje me kërkesat përkatëse dhe efektet negative të ndihmës (kufizimet e konkurrencës dhe ndikimi në tregti) të zvogëlohen.