Mbajtja e mësimit të shtunave konsiderohet proces i dështuar

Zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës ditën e shtunë po vlerësohet si proces i dështuar, pasi sipas njohësve të fushës së arsimit në shumicën e shkollave nuk është mbajtur fare mësim në vikend.

Sipas drejtorit të Institutit “EdGuard” Rinor Qehaj, në ato shkolla që është mbajtur mësimi, nuk ka pasur kurrfarë cilësie ose efikasiteti në mësimdhënie, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se edhe mësimdhënësit nuk kanë pasur përkushtim që t’i nxisin nxënësit që të marrin pjesë në mësim gjatë të shtunave.

“Zëvendësimi i orëve nuk mund ta konsiderojmë të suksesshëm, është dëshmuar në shumë shkolla, në ato shkolla që është mbajtur është mbajtur vetëm përfaqësish pa kurrfarë cilësie ose efikasiteti në mësimdhënie dhe në të tjerat nuk është mbajtur fare, ka munguar në tersi një përkushtim i mësimdhënësve për ti nxitur nxënësit për pjesëmarrje por edhe komunitetit të prindërve i kthyer si një neglizhencë pa fajin e tyre. Këto orë duhet të zëvendësohen, një muaj është një periudhë shumë e madhe për procesin mësimor dhe të dëmtuarat e vetëm pa dyshim janë fëmijët”, tha ai.

Qehaja theksoi se procesi i zëvendësimit të orëve të humbura do të duhej të i’u lihej në dorë mësimdhënësve dhe shkollave që vetë ata të vendosin për kohën.

Ai po ashtu bëri thirrje që orët e humbura duhet të zëvendësohen me çdo kusht.

“Neve që nga fillimi kemi evokuar në atë që zëvendësimi te ju lihet në mënyrë autonome secilës shkollë dhe mësimdhënës që të përzgjedhim se cila është ajo kohë ideale dhe niveli i zëvendësimit të një ore mësimore”.

“Ajo çka besoj që e konfirmon çdo mësimdhënës është që ky zëvendësimi për këtë gjysmëfjetur ka qenë i pa mjaftueshëm detyrimisht ato orë mësimore duhet të zëvendësohen, por ky zëvendësim do te duhet të jetë shumë individual nga secili mësimdhënës i cili etiketon ngecjet në arritjen e rezultateve tekë secili nxënës dhe ofron atë përkrahjen qoftë në formë të mësimit shtesë ose plotësues për secilin nxënës individualishtë”, tha ai për EO.

Eksperti i arsimit Argjend Osmani, tha se Ministria e Arsimit nuk është realiste sa i përket kësaj çështje, ngase sipas tij, nga raporte e shkollave është një numër minimal i nxënësve që janë duke vijuar mësimin të shtunave.

Ai tha se Ministria duhet ta pranoj se vendimi për zëvendësimin e orëve ka qenë iniciativë e dështuar nga fillimi.

“Qeveria duhet të jetë realist të mos shohë ëndrra me sy qel, për shkak se numri i nxënësve që kanë vijuar mësimin të shtunave ka qenë shumë i vogël. Nëse ministria është duke folur për ndonjë shtet tjetër apo Kosovë tjetër atëherë ato mund të jenë të vërteta. Të dhënat dhe raportet që vijnë nga shkolla kemi një numër minimal të nxënësve që janë duke vijuar mësimin të shtunave”.

“Ministria duhet ta pranoj që iniciativa e zëvendësimit të orëve ka qenë e dështuar qysh nga fillimi sepse nga përvojat e viteve të kaluara është ditur se nuk funksionon dhe është dashur që të punohet që të mos ketë probleme. Tash është e vështir të zëvendësohen ato orë të humbura”, tha ai.

Osmani tha se duke u bazuar edhe në të kaluarën zëvendësimi i orëve të shtunave nuk është treguar efikase dhe se kjo formë nuk duhet të përsëritet, raporton EO.

“Unë mendoj se zëvendësimi i orëve është treguar jo efikas qysh nga vitet e kaluara, mendoj se kjo metodë është treguar jo efikase dhe nuk duhet të përsëritet”, përfundoi ai.