Mbi 100 të vdekur nga përmbytja e varkës në Niger

Më shumë se 100 persona kanë vdekur pasi një varkë është përmbytur në lumin Niger gjatë mëngjesit të së hënës, raportoi të martën “Al Jazeera”.

Siç bëhet e ditur, varka po transportonte të ftuar të dasmës që po ktheheshin në shtetin Kwara nga një ceremoni në shtetin e afërt të Nigerit.

Varka është përmbytur pasi ka goditur diçka brenda ujit.

Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar që nga e hëna.

Policia ende nuk ka konfirmuar numrin e saktë të njerëzve që kanë vdekur apo se sa njerëz ishin në bordin e varkës që ishte e mbingarkuar. /koha